Delegacioni i SHBA-së dhe BE-së nesër në Kosovë

Një delegacion i gjerë i përbërë nga zyrtarë të lartë të SHBA-së dhe BE-së të shtunën do ta vizitojnë Kosovën me qëllim që, siç tha zëdhënësi i BE-së Peter Stano, lëvizjen në zbatimin e marrëveshjes së Ohrit dhe uljen e tensioneve ndërmjet dy vendeve pas sulmeve në veri të Kosovës.

“Miroslav Lajcak, Gabriel Escobar dhe këshilltarët e sigurisë së presidentit të Francës, kancelarit gjerman dhe kryeministrit të Italisë, Emmanuel Bon, Jens Pletner dhe Francesco Talo, do të shkojnë në bisedime me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti serb Aleksandar Vuçiq me pritshmëri të qarta se të dyja palët do të vazhdojnë procesin e normalizimit të marrëdhënieve dhe do të zbatojnë detyrimet e tyre pa vonesë dhe pa kushte. Në të njëjtën kohë, autoritetet serbe duhet të bëjnë gjithçka për të zbardhur sfondin, autorët dhe organizatorët e dhunës në Banjskë”, tha Stano.

Vizita vjen në një moment kur pala kosovare e konsideron urgjente sanksionimin e Serbisë dhe hetimin e sulmit terrorist në veri dhe jo dialogun. Me gjithë këtë, deputeti i VV-së, Visa Korenica, e mirëpret çdo përpjekje të faktorit ndërkombëtar për zgjidhjen e problemeve me Serbinë.

“Çdo përpjekje e faktorit ndërkombëtar që shkon tutje karshi rregullimit të gjendjen aktuale dhe uljes në tavolinë dhe kërkesës së drejtpërdrejt që duhet ti bëhët palës serbe për të pranuar zbatimin e marrëveshjes së Ohrit është e mirë se ardhur”, tha Korenica për RTV21.

Opozita kërkon nga Qeveria kujdes gjatë komunikimit me përfaqësuesit e faktorit ndërkombëtar, sidomos me ata të SHBA-së. Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, thotë se Kosova nuk mund të përballojë më izolimin politik.

“Lidershimi vendos duhet të jetë jashzakonisht i kujdesshëm me faktorin ndërkombëtar. Duhet të kemi gjuhë politike dhe të kujdesshme sa i përket bashkëpunimit. Kosova nuk mund të përballoj sanksione”, tha Shala.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane nga LDK, Rrezarta Krasniqi, nuk e përjashton mundësinë që pesëshja e zyrtarëve amerikanë dhe evropianë të vijnë me një propozim konkret për procesin e dialogut.

“Kjo vizitë do të jetë e rendësishme sepse ne si LDK kemi thënë se dialogu duhet të koordinohet me SHBA-të dhe BE-në. Presim që në fundjavë të ndodh diçka dhe të dalim nga kjo gjendje”, tha ajo.

Pas vizitën në Prishtinë, delegacioni përëndimor do të shkojë në Beograd. Përveç dialogut pesëshja diplomatike pritet të kërkojë organizimin e zgjedhjeve komunale në veri me pjesëmarrjen e serbëve të Kosovës./21Media

Back to top button