Deliu: S’mund të jemi vegla e as figura shahu të Kurtit

(Lajm i përditësuar)


Deliu: I besojmë Kushtetueses, LVV-ja tentoi të delegjitimojë të gjitha institucionet

Blerta Deliu nga PDK-ja në emisionin “Click” në RTV21 tha se ky subjekt politik i beson plotësisht Gjykatës Kushtetuese.

Ajo tha se PDK nuk ka pasur asnjëherë kritika ndaj këtij institucioni.

“Gjykata Kushtetuese ka qenë një ndër institucionet e vetme që e ka ruajtur rendin kushtetues të Kosovës, i cili është cenuar nga pushteti i LVV-së”, u shpreh ajo.

Sipas Deliut, pushteti ka tentuar të delegjitimojë të gjitha institucionet.


Deliu: Besoj që Kurti do të bjerë në zgjedhjet e ardhshme

Anëtarja e PDK-së, Blerta Deliu, në emisionin “Click” në RTV21 u shpreh e bindur se nëse mbahen zgjedhjet, rezultati i tyre do të jetë ndryshe nga ai i 28 dhjetorit.

“Besoj që po”, u përgjigj ajo në pyetjen se a do të bjerë Albin Kurti.

“Unë nuk besoj se qytetarët kanë votuar një parti që sistematikisht në çdo palë zgjedhje prodhon kriza”, tha ajo.


Deliu: S’mund të jemi vegla e as figura shahu të Kurtit

Anëtarja e PDK-së, Blerta Deliu, në emisionin “Click” në RTV21 tha se opozita nuk ka mundur as ta zgjedhë presidentin, e as ta çojë vendin në zgjedhje, pasi sipas saj votat e opozitës nuk kanë qenë të mjaftueshme.

“Prandaj marrëveshja politike, e cila është injoruar nga zoti Kurti, ka bërë që Kuvendi prej datës 28 dhjetor, kur janë mbajtur zgjedhjet, nuk e ka bërë asnjë hap për ta arritur konsensusin. Të paktën janë bërë disa takime, disa deklarata, por të cilat më vonë u panë që kanë qenë farsë, sepse po të kishte vullnet politik, Kosova nuk do të shkonte në zgjedhje të reja.

Partitë opozitare nuk mund sot të bëhen vegla të zotit Kurti, sot të jenë në Kuvend për të përmbushur kuorumin të cilin ai e kërkon. Kemi ne një identitet politik dhe nuk mund të jemi figura shahu brenda sallës, vetëm pse i duhet zotit Kurtit, siç bëri përpjekje me rastin e dy kandidatëve”, tha Deliu.

Deliu shtoi se Kosova nuk ka krizë kushtetuese, por krizë të vullnetit politik të një njeriu që, siç tha ajo, nuk ka dashur gjatë gjithë karrierës politike të ketë marrëveshje e as të dialogojë.


Deliu e thotë haptas: Mbështesim Kushtetutën, e jo Vjosën si emër të përveçëm

Anëtarja e PDK-së, Blerta Deliu, në emisionin “Click” në RTV21 ritheksoi qëndrimet e këtij subjekti politik se presidentja Vjosa Osmani ka qenë në sinkron të plotë me Albin Kurtin.

Ajo mohoi se po hyjnë në bllok me Osmanin, por sipas saj po respektojnë Kushtetutën e Kosovës.

“Ne kemi mbështetur kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, sepse Kushtetuta e thotë qartë në nenin 86 se presidenti i vendit zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të presidentit ekzistues. Nuk është se ne po e mbështesim Vjosën si një emër të përveçëm, zonjën Osmani në këtë rast”, u shpreh ajo.


Deliu: PDK nuk pranon president që është “zgjatim” i Vetëvendosjes

Partia Demokratike nuk pranon që për president të Kosovës të jenë persona që janë zgjatim i Lëvizjes Vetëvendosje. Kështu tha Blerta Deliu nga PDK-ja.

“Ne kemi kërkuar një figurë që përfaqëson unitetin e Kosovës, dikush që shërben si balancë e ndarjes së pushteteve, është e shëndetshme për demokracinë”, tha ajo.


Deliu: PDK vlerëson se dekreti i Osmanit është kushtetues

A është alternativë për PDK-në krijimi i një platforme të djathtë?

Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës në emisionin “Click” në RTV21 tha se subjekti politik ku ajo bën pjesë e mbështet dekretin e Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit.

Kur u pyet pse e mbështesin Osmanin, kur kanë qenë kundërshtarë, ajo tha se e vlerësojnë se dekreti është ligjor.

“Është në harmoni me Kushtetutën, sepse afati 30-ditor për zgjedhjen e presidentit ishte konsumuar, ndërkohë që Kuvendi kishte dështuar të ofrojë zgjidhje”, u shpreh ajo.

Deliu tha se për të Kuvendi i Kosovës është i shpërndarë. Ajo theksoi se është hera e parë që në Kosovë shkohet në zgjedhje për shkak se nuk u arrit të zgjidhet presidenti.


A është alternativë për PDK-në krijimi i një platforme të djathtë?, ja çfarë thotë Blerta Deliu

Blerta Deliu nga Partia Demokratike e Kosovës në emisionin “Click” në RTV21 tha se Kosova viteve të fundit është izoluar në arenën ndërkombëtare, pastaj rritja e çmimit të energjisë.

Sipas saj, qytetari i Kosovës ka nevoja tjera përtej zgjedhjes së presidentit. Ajo nuk mohoi nevojën për krijimin e një platforme të djathtë, por siç u shpreh është herët të deklarohet aty.

“Në rast se platformat, oferta jonë është përbashkuese me të tjerët, ne nuk kemi qenë kundërshtues ndaj bashkëpunimit tonë… jemi aty për t’u ulur edhe me kundërshtarët tonë”, u shpreh ajo./21Media

Back to top button