Deliu-Kodra: E keni kontaminuar narrativin për shtetin e Kosovës

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra gjatë seancës plenare tha se në gjitha takimet në botë, partia që tashmë është në pushtet e ka paraqitur Kosovën si shtet jo-funksional.
“Zotëri kryeministër, për vite të tëra, partia e juaj në opozitë ka ndërtuar narrativin në raport me Kosovën si shtet jofunksional. Dhe në kohën kur ne kemi përmbushur të gjitha kriteret dhe nuk kemi pasur asgjë nga BE-ja në raport me vizat, ju keni kërkuar dorëheqjen e qeverisë. Sot po thoni që nuk kam asgjë shtesë të them dhe nuk po merrni përgjegjësi për një proces për të cilin po them se e keni kontaminuar komplet narrativin për shtetin e Kosovës. Në të gjitha takimet ku keni shkuar jeni deklaruar se Kosova nuk është shtet funksional”, ka deklaruar ajo.
Për këtë ka reaguar kryeministri Albin Kurti, i cili tha se është përmirësuar imazhi i Kosovës.
“Ajo çfarë mund të thuhet në të kaluarën është që imazhi i Kosovës nuk ka qenë i mirë. Mirëpo, për 17 vende në Transparency International Corruption Index është ngritur Kosova. Për 17 vende sa i përket lirisë së medias, reporterët pa kufij është ngritur Kosova. Sipas World Justice Project jemi të parët në Ballkan e të 60 në Evropë. Pra, askush nuk mund të thotë më as që imazhin nuk e kemi të përmirësuar. Por, edhe një herë po e ritheksoj ka skepticizma të ndonjë ministri të Brendshëm të ndonjë vendi anëtar, me të cilat po merremi. Por, sërish nuk është një gjë që vendimi mund të merret në Prishtinë”, u përgjigj Kurti./21Media

Back to top button