Deliu: Pres që perëndimi të reagojë ndaj filmave të falsifikuar të Vuçiq

 
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Blerta Deliu ka kërkuar nga shtetet e perëndimit që të reagojnë kundër filmave të Serbisë me histori të falsifikuar për luftën në Kosovë.
“Qeveria e Serbisë, jo vetëm mohon gjenocidet e shkaktuara ndaj popujve tjerë, gjatë viteve të ’90-ta, por prodhon filma me histori të falsifikuara për të glorifikuar realizatorët e gjenocideve. Kësi lloj filmash sot shihen përditë në kuzhinat propaganduese e dezinformuese të regjimit kriminal të Putinit. Pres që perëndimi të reagojë me të njëjtën vendosmëri ndaj filmave të Vuçiqit sikurse reagoi ndaj përpjekjeve ruse për ta gënjyer të vërtetën e luftës mizore që është duke shkaktuar ndaj civilëve në Ukrainë.”, ka shkruar ajo në një status në rrjetet sociale.
Tutje Deliu ka thënë se UÇK bashkoi gjithë botën demokratike në luftën e saj për liri, ashtu sikur i bashkon sot lufta e drejtë e popullit ukrainas.
“Serbia vazhdon të mbetet në anën e gabuar të historisë, me regjimet që ushqehen me krimet ndaj popujve tjerë.”, ka përfunduar Deliu./21Media

Back to top button