Demi: Keqpërdorimet e Rikalos nuk janë hiç më të veçanta se sa të Lekajt, Bytyqit, Pacollit…

Pas shkarkimit të Rikalos

“Rikalo nuk e kishte vendin në ministri, për shkak të keqpërdorimeve milonëshe me buxhetin e shtetit. Por keqpërdorimet e Rikalos nuk janë hiq më të veçanta se sa të anëtarëve tjerë të kësaj Qeverie”, kështu tha Agron Demi nga Instituti GAP.

Demi përmes një postimi në “Facebook” tha se ministri Pal Lekaj në Ministrinë e Infrastrukturës i dhuroi 53 milionë euro Bechetl&Enka në emër të vonesave, kurse sipas tij nuk po penalizohet kjo kompani kur ka kalu mbi një muaj afati kur është dashur të përfundohet autostrada.

“Po Ministria e Lekajt po e vazhdon monopolin në homologim, po shpërblen me punë kompaninë e zëvendësministrit në autostradën e Gjilanit, po mban mbyllur kontratat e autostradave në kundërshtim me vendimet e gjykatave…”, ka shkruar Demi.

Ai tha tutje se hiç më mirë se Rikalo nuk është ministri i MASHT, Shyqiri Bytyqi që sipas tij e ka politizu në tërësi këtë ministri dhe ka keqpërdorur me buxhet të ministrisë në dhjetra raste.

Agron Demi tutje tha se as Behgjet Pacolli dhe të tjerët nuk qëndrojnë më mirë.

“Hiq ma i mirë nuk është Behgjet Pacolli në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i cili e ka shndërru ministrinë në produksion skandalesh diplomatike dhe po e rrënon edhe më tej shërbimin diplomatik. Kjo Qeveri ka me vazhdu me pas ministër Besim Beqajn e “Prontos”, shkatërruesin e PTK e përgjegjësin kryesor për faljen e katër hidrocentraleve. E mos të flasim për shefin e kësaj Qeverie, lista e skandaleve e keqpërdorimeve të të cilit nuk ka fund”, ka shkruar ai.

Sipas Agron Demit nga Instituti GAP për të reduktuar të keqën e Qeverisë vetëm me shkarkimin e Rikalos është manipulim i paturpshëm.

“Andaj, me reduktu të keqen e kësaj Qeverie vetëm në Rikalon dhe me deklaru fitore shkarkimin e tij është manipulim i paturpshëm dhe amnestim i krejt të keqpërdorimeve tjere të kësaj Qeverie”, u shpreh ai./21Media

Back to top button