Demostat: Vuçiqi nuk do ta nënshkruajë marrëveshjen me Kosovën, këtë do ta bëjë kryeministri

Presidenti serb Aleksandar Vuçiq, i cili realisht ishte negociatori kryesor i Beogradit në dialogun me Prishtinën për vite me radhë, nuk do ta vë nënshkrimin në marrëveshjen përfundimtare kurdo që ajo të arrihet, por këtë do ta bëjë kryeministri i Serbisë, shkruan Demostat.
Demostat thotë se mes rreshtave këtë e ka thënë vetë Vuçiq në konferencën për media kur ka folur për propozimin evropian për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Unë e di se çfarë do të vendos, por jo në emër të Serbisë. Në emër të Serbisë kuptohet do të vendosin, pasi ndryshe do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë, organet e tjera kompetente shtetërore dhe ndoshta edhe qytetarët”, tha Vuçiq atëbotë.
Do të ishte e zakonshme dhe normale që marrëveshja të nënshkruhet nga kryeministri, sepse kjo del nga dispozita e Kushtetutës sipas së cilës Qeveria është organi ekzekutiv që zbaton politikën e brendshme dhe të jashtme të Serbisë, shkruan Demostat.
Kur u nënshkrua Marrëveshja e Brukselit ishte kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq, që vuri firmën në letër më 19 prill 2013 në Bruksel. Disa ditë më vonë, më 22 prill, Qeveria e Serbisë njëzëri ra dakord për nënshkrimin e Marrëveshjes së Brukselit – marrëveshja e parë për parimet që rregullojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe më 26 prill Kuvendi serb, pas një diskutimi shterrues njëditor, miratoi Raportin e Qeverisë së Serbisë për procesin e mëparshëm të dialogut me Kosovën, pjesë integrale e të cilit ishte marrëveshja e propozuar e siguar në Bruksel.
Profesoresha e drejtësisë Vesna Rakiq Vodineliq thotë për Demostatin se marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës do të ketë të gjitha karakteristikat e një marrëveshjeje ndërkombëtare.
“Ekziston një dispozitë e qartë kushtetuese sipas së cilës Qeveria zhvillon politikën e brendshme dhe të jashtme. Ajo që ndodhi në vendin tonë është se Vuçiq mori kompetencat e autoriteteve të tjera ekzekutive dhe ndonjëherë edhe gjyqësore”, thotë ajo./21Media

Back to top button