Dënohen shitësit e derivateve nëse nuk i vendosin çmimet në tabela

Kjo po bëhet me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit

Ministria e Tregtisë dhe Industrisë nuk do të tolerojë mosrespektimin e udhëzimit administrativ, i cili obligon pikat shitëse të derivateve të vendosin çmimet në tabelat përkatëse në hyrje të tyre. Kështu ka deklaruar sot, zëvendësministrja e Industrisë dhe Tregtisë, Arbëreshë Krasniqi, gjatë kontrolleve në pompat e benzinës dhe naftës për mbikëqyrjen e zbatimit të këtij udhëzimi administrativ.

Krasniqi ka thënë se obligohen të gjitha pikat shitëse që t’i vendosin tabelat, me qëllim që konsumatori t’i ketë sa më të qarta çmimet.

“Ne po bëjmë punën më të mirë. Inspektorati po vazhdon që të përcjellë këtë gjendje. Udhëzimi administrativ duhet të respektohet. Përndryshe ne e dimë që nëse nuk respektohet ka edhe pasoja. Kështu që unë ju bëjë thirrje të gjitha pikave të karburanteve që të respektojnë udhëzimin adimistrativ, i cili është nxjerrë nga MTI në krye me z.Shala… Udhëzimi administrativ është i mbështetur në ligjin për mbrojtjen e konsumatorit dhe MTI në kontinuitet ka interesim të veçantë për mbrojtjen e konsumatorëve”, është shprehur ajo.

Krasniqi ka treguar edhe të gjeturat e këtij kontrolli, ku ka thënë se janë të pakta rastet që nuk kanë zbatuar udhëzimin përkatës.

“Në disa vizita që bëmë, ka disa raste, më pak, që nuk janë të vendosura tabelat. Mirëpo, menaxherët e pikave shitëse kanë dhënë premtim që aty ku nuk janë të vendosura, do të vendosen në vazhdimësi dhe shumë shpejt do të vendosen”, ka thënë ajo.

Në fund, zëvendësministrja është shprehur se kontrolle të ngjashme do të ndodhin në të gjitha pikat shitëse të karburanteve. Ndërsa, ka theksuar se udhëzimi administrativ është në interes të qytetarëve, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorit.

Back to top button