Dënohet ministrja Rozeta Hajdari për aksidentin në të cilin u godit një e mitur

Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar ministren Rozeta Hajdarin me 200 euro gjobë për rastin e aksidentit ku kishte goditur një vajzë të mitur me veturë.Aksidenti kishte ndodhur me 10 prill të vitit të kaluar.

“Gjykata duke vendosur ne bazë të neneve 3,7,8,9,17 paragrafi 1 pika 1.2,1.5.31 dhe te nenit 35 të Ligjit për Kundërvajtje me nr.05/L-087, të pandehurës R.H i shqipton dënim me gjobë në shumën prej dyqind euro (200) €, obligohet e pandehura që gjobën e shqiptuar të paguajë në afat prej 15 dite, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi”, thuhet në njoftimin që e ka bërë Gjykata e Prishtinës.

Hajdari është obliguar që ta paguaj dënimin në afat prej 15 ditësh, si dhe shpenzimet e tjera procedurale.

Kundër këtij aktgjykim të cilin e ka nxjerrë gjyqtari për kundërvajtje, Shaqir Mazreku, palët kanë të drejtë ankese në Gjykatë e Apelit.

Procedura për kundërvajtje ndaj ministres Hajdari është filluar nga stacioni policor, në veçanti nga Njësia Rajonale e Komunikacionit Rrugor.

Aksidenti ka ndodhur më 10 prill 2022, në ora 12:25, në lagjen “Arbëria” të Prishtinës, ku një vajzë e mitur u aksidentua. Ministrja Hajdari është ngarkuar me akuza për mospërshtatje të shpejtësisë dhe për aksident në komunikacion me lëndime trupore të përfshira.

Back to top button