Dënohet për tentim vrasje, familjarët kërcënojnë gjyqtarin

I dënuari kishte tentuar ta vras një person

Gjykata Themelore në Prishtinë sot ka shpallur aktgjykimin në çështjen penale ndaj të akuzuarit F.A, i cili është shpallur fajtor dhe i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej tre vite e gjashtë muaj.

“Gjykata paraprakisht ka gjetur se i akuzuari F.A është fajtor sepse më 15 maj të vitit 2014 rreth orës 16:00 në Prishtinë, në rrugën “Vëllezërit Fazliu” ka tentuar që ta privoj nga jeta tani të dëmtuarin F.A, para servisit “Metropol Max”, ashtu që me armë zjarri kishte gjuajtur në drejtim të të dëmtuarit dhe më pas kishte ikur nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Sipas gjykatës, me këtë veprim i akuzuari F.A ka kryer veprën penale Vrasje në tentativë dhe veprën penale Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

“Gjykata të akuzuarit F.A i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues konfiskimin e armës me të cilën ka kryer veprat penale, ndërsa edhe pse i akuzuari në shqyrtimin fillestar ka pranuar fajësinë për dy veprat penale, i njëjti akoma nuk e ka dorëzuar armën e zjarrit, prandaj Gjykata e ka urdhëruar që të njëjtën armë ta dorëzoi menjëherë”, thuhet më tej në njoftim.

Gjykata themelore përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se pas shpalljes së aktgjykimit kanë reaguar të afërmit e të akuzuarit dhe i akuzuari F.A., të cilët kanë kërcënuar drejtpërsëdrejti kryetarin e trupit gjykues- gjyqtarin Hamdi Ibrahimi, lidhur me dënimin që i ka shqiptuar të akuzuarit, me ç’ rast policia e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet e duhura dhe ka arrestuar tre persona për kanosje ndaj gjyqtarit dhe për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

“Personat janë ndaluar nga zyrtarët policor prezent dhe më pas janë shoqëruar në zyrat e Policisë brenda objektit të Gjykatës. Tre të arrestuarit janë shoqëruar në Stacionin Policor “ Jugu”, thuhet në njoftim.

Back to top button