Departamenti i Shtetit thirrje Qeverisë së Kosovës ta rishikojë vendimin për dinarin serb

Departamenti i Shtetit i bëri thirrje Kryeministri të Kosovës, Albin Kuri ta rishikojë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës për pezullimin e dinarit serb më 1 shkurt 2024

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit për The Pavlovic Today të martën në mbrëmje.

Duke shprehur shqetësimin e SHBA-së për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës, zëdhënësi tha: “Jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”.

Departamenti i Shtetit nënvizoi se, në përputhje me ligjin e Kosovës dhe zotimet e marra sipas Planit të Ahtisaarit, Serbia “ka të drejtë të ofrojë ndihmë financiare për anëtarët e komunitetit etnik serb në Kosovë”.
Dispozitat kryesore të Marrëveshjes në Planin e Ahtisaarit përcaktojnë se “komunitetet me shumicë serbe do të kenë autonomi të gjerë financiare dhe do të jenë në gjendje të pranojnë financime transparente nga Serbia dhe të marrin pjesë në partneritete ndërkomunale dhe bashkëpunim ndërkufitar me institucionet serbe. ”

Departamenti i Shtetit i kujtoi kryeministrit Albin Kurti zotimet ligjërisht të detyrueshme të Kosovës.

“Kjo është arsyeja pse ne vazhdojmë të kërkojmë nga Kosova që të përmbushë zotimin e saj për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe ,” tha zëdhënësi.

“Asociacionit të Komunave me shumicë serbe është mekanizmi primar përmes të cilit Serbia në mënyrë transparente mund të ofrojë mbështetje financiare për institucionet dhe individët sipas kornizës ligjore të Kosovës”, sqaroi më tej zëdhënësi.

Departamenti i Shtetit theksoi se individët në Kosovë të cilët “në mënyrë legjitime marrin ndihmë financiare nga Serbia kanë nevojë për qasje në një mekanizëm ligjor funksional përmes të cilit ata mund ta marrin atë mbështetje”.
Zëdhënësi përfundoi duke theksuar se institucionet që ofrojnë shërbime jetike, si arsimi dhe shëndetësia, “duhet të jenë në gjendje të vazhdojnë funksionimin e tyre”./21Media

Back to top button