Rohde dhe Szunyog i kërkojnë Qeverisë të përmbahen nga deklaratat që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka ndarë shqetësimin e tij në lidhje me zbatimin e ligjit selektiv “à la carte”.

Duke iu referuar edhe mos zbatimit të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit, përmes një postimi ai ka thënë se kjo nuk i hapë derën Kosovës as drejt Këshillit Evropian e as drejt Bashkimit Evropian.

Rohde ka deklaruar se këtu e ka shqetësimin e njëjtë me kolegun e tij, shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili dje është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese.

“Përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj drejt integrimeve Evropiane e kemi për zemër, por edhe Kosova duhet të kryej punën e saj”, ka shkruar Rohde në platformën X.

Në një takim të së martës me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese, Gresa Caka-Nimani, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se “Gjykata duhet të jetë e pavarur dhe e lirë nga ndikimi e presioni politik”.

“Në mënyrë që të ruhet pavarësia e gjyqësorit, është thelbësore që anëtarët e Qeverisë të përmbahen nga deklaratat që rrezikojnë të cenojnë autoritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit, si dhe besimin e publikut në të. Vendimet e Gjykatës Kushtetuese duhet të respektohen e zbatohen plotësisht, përfshirë aktvendimin e 19 majit 2015 për rastin e Manastirit të Deçanit”, ka shkruar Szunyog në Twitter.

Sa i përket Manastirit të Deçanit, Rohde ditë më parë ka thënë  se Kosova nuk do ta shohë veten në Këshillin e Evropës nëse nuk e zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit.

“Asnjë qeveri e Kosovës nuk e ka zbatuar këtë vendim. Nganjëherë duhet kohë për të bërë gjënë e duhur, por unë nuk e shoh kandidimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të jetë i suksesshëm nëse kjo çështje nuk zgjidhet. Shpejt do të ketë një diskutim rreth tij dhe rekomandime do të bëhen se çfarë duhet të bëhet para votimit të pranimit dhe kjo çështje do të jetë në mesin e atyre rekomandimeve.’, është shprehur ambasadori gjerman në Kosovë./21Media

Back to top button