Deputeti i PDK-së: Hapja e Urës së Ibrit në koordinim vetëm me aleatët

(Lajm i përditësuar)
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti kërkon nga Qeveria e Kosovës që urën e Ibrit në Mitrovicë ta hapë vetëm në koordinim me aleatët, në të kundërtën ekziston rreziku që aty të vendosen trupat e KFOR-it dhe ura sërish të mbyllet për qarkullim.
Haliti thotë se dialogu me Serbinë do të vazhdojë status-quo pasi palët s’kanë vullnet për zbatim të Marrëveshjes Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit.
“Ky është qëndrim i ditur botërisht i deklaruar disa herë nga institucionet publike dhe zëdhënësit e BE-së që ura e Ibrit duhet të hapet në kuadër të procesit të dialogut. Ne po jetojmë në disa rrethana të çuditshme ku qeveria është orientuar të merret vetëm me veriun, ndërsa ajo që kemi fituar është që të lahemi vetëm në liqenin e Ujmanit dhe t’i dërgojmë pushuesit për t’u freskuar, por duke u kujdesur me mitraloza. Sidoqoftë ura e Ibrit nuk duhet të krijojë probleme…Me hap urën edhe me mbyllë nuk është mirë. E dyta, ne nëse veprojmë pa u marrë vesh edhe me EULEX, KFOR dhe QUINT-in është problem, pasi mundet me u vendos KFOR-i në urë dhe mund të ketë probleme mes Policisë së Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës në veri”, thotë ai.
Sipas tij, palët në dialog janë pozicionuar gabimisht andaj edhe e ardhmja e këtij procesi mbetet e paqartë.
“Të dy palët janë të pozicionuar gabimisht. Presioni nga bashkësia ndërkombëtare nga QUINT-i nuk është presionit që i detyron të dyja palët. Në kushtet dhe rrethanat politike që jemi edhe evropianët dhe amerikanët janë në përpjekje për ta bindur Serbinë që të largohet nga linja që e ka me Rusinë dhe këtë rast që me bind Serbinë t’i kryejë obligimet e veta në raport me Kosovën…Çka kemi ne me letrën. Nëse Bashkimi Evropian ndikohet nga letra e Bërnabiq, atëherë BE-në e ka marrë ‘pusi’. Edhe unë e ti mund t’i shkruajmë letra BE-së, por kush merret me letrat tona. Bërnabiqit i kanë thënë shkruaje një letër dhe aq është ajo punë”, tha Haliti.
Duke folur për presionin ndërkombëtar për dërgimin e draft-statutit të asociacionit të propozuar nga BE-ja në Kushtetuese, Haliti thotë se qeveria duhet të lëvizë në këtë drejtim, derisa shton se kjo çështje do të vazhdojë të jetë kusht për anëtarësimin në Këshill të Evropës.
“Nëse e lexojmë Kushtetutën e Kosovës asgjë s’ka jashtë asaj kushtetute. Disa kompetenca, çka i japin dhe çka nuk i japin nuk e di. Por problemi është më shumë egocentrist i politikanëve të Kosovës edhe në të kaluarën. Ne kemi nënshkruar marrëveshjen, me qenë në terezi është dashur të zbatohen marrëveshja menjëherë…Në Këshill të Evropës rrugën Kosova e ka të hapur. Kushti është i ditur publik, ti e qet hapin dhe ata e qesin hapin”, tha deputeti opozitar.
Krahas këtyre, Haliti thotë se në bazë të indikacioneve Milan Radoiçiq, përgjegjësi i sulmit terrorist në Banjskë mund të arrestohet së shpejti në Serbi, para vizitës së presidentit së Francës, Emmanuel Macron.
“Ndodhi sulmi në Bansjkë dhe në vazhdimësi po kërkohet që të burgoset Radoiçiq dhe të sillet në Kosovë, por me sa kam informata unë pas disa ditësh do të jetë Macron në vizitë në Beograd dhe Serbia mund të bëjë formalisht një arrestim të Radoiçiq për veprimet që i ka bërë, por unë po besoj se ata janë përgatitur që ta shfajësojnë Radoiçiqin dhe ta fajësojnë dikë tjetër”, përfundon Haliti.
Haliti: PDK synon t’i fitojë zgjedhjet, në të kundërtën qëndrojmë në opozitë
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Xhavit Haliti, thotë se secila nga katër datat për zgjedhjet e rregullta parlamentare duhet të jenë të pranueshme për partitë politike, pasi dallimi në kohë është shumë i vogël.
Sipas tij, pasi për zgjedhje të parakohshme s’ka konsensus të partive politike që të mbahen në vjeshtë, atëherë si 26 janari, 2 shkurti, 9 shkurti apo 16 shkurti i vitit 2025 duhet të jenë të përshtatshme. Ai thekson se PDK-ja do të synojë të dalë e para në zgjedhje, por në rastin e kundërt do të qëndrojnë në opozitë dhe s’do të përfshihen në koalicione pas zgjedhore.
Haliti flet edhe për përplasjet ndërmjet krerëve të institucioneve si dhe për incidentin e presidentes Vjosa Osmani në aeroportin e Shkupit.
“Përderisa s’ka marrë pjesë Vetëvendosja nuk e di a do të pajtohen ata për data. Këto data ka mundur t’i shpallë publikisht dhe në rregull. Ata janë marrë vesh për një datë dhe mendoj se është në rregull. Problemi dhe ideja ka qenë për të shkuar në zgjedhje më herët, të paktën në vjeshtë. Kjo për arsye se moti është më i mirë dhe janari dhe shkurti janë muaj më të ftohtë dhe s’e di sa do të jetë e përshtatshme. Por, ajo që do të doja të them lidhur me këtë është se duhet të rregullohet me Kushtetutë data e zgjedhjeve. Data e zgjedhjeve të përkojë me muajt që janë më të përshtatshme për votuesit dhe partitë politikë që të ketë kohë për t’u përgatitur…S’ka dallim asgjë datat, veçse sa me thënë se i dhamë katër opsione opozitës t’i zgjedhë. Tash mund të thonë se ia lëmë opozitës me zgjedh datën dhe eventualisht sa e njoh mënyrën si po funksionojnë mund të deklarojnë një datë krejt tjetër”, thekson Haliti.
Ai e sheh si të vështirë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, derisa nënvizon se ideja e shpërndarjes së Kuvendit është e gabuar politikisht.
“Mendoj se s’ka asnjë rëndësi a mbahen zgjedhjet e parakohshme apo jo. Jam ithtar i asaj që zgjedhjet të mbahen një herë në katër vjet dhe nëse ka interes për ta rrëzuar qeverinë, institucionet të vazhdojnë dhe të zgjidhet qeveria tjetër deri në përfundim të mandatit të deputetëve. Varianti i vetëshkarkimit të deputetëve politikisht është shumë i gabueshëm, papranueshëm për shumë arsye”, potencon Haliti.
Sa i përket koalicioneve pas zgjedhore dhe bashkëpunimin e mundshëm me Lëvizjen Vetëvendosje, Haliti thotë se PDK-ja synon të dalë e para në zgjedhje, në të kundërtën duhet të qëndrojë në opozitë.
“Synimi i PDK-së është që të del e para në zgjedhje. Koalicionet pas zgjedhore janë sa për të marrë ndonjë hise të qeverisjes. Mendoj se nuk do të jetë e lehtë për PDK-në nëse nuk del e para në zgjedhje…Ne jemi deklaruar se s’kemi pasur vija të kuqe me askënd, as me Lëvizjen Vetëvendosje. Por, unë kam mendimin tim se LVV-ja nuk do të jetë e interesuar që të jetë në koalicion me PDK-në. Sidoqoftë, unë si prej politikanëve dhe deputetëve prej legjislaturës së parë mendoj partitë serioze dhe partitë që duan pushtet kur nuk janë shumicë duhet të rriten. Për t’u rritur nën krahun e dikujt tjetër, s’mundesh të rritet. Nëse s’dalim të parët, duhet të qëndrojmë në opozitë”, deklaroi Haliti.
Krahas këtyre, Haliti duke folur për mospjesëmarrjen e kryeministrit Albin Kurti në takimin e ftuar nga presidentja Osmani për partitë politike, thotë se po duket se dallimet e tyre janë më shumë sa i përket politikës së jashtme dhe raporteve me aleatët.
Megjithatë, sipas tij, presidentja Osmani duhet të kuptojë rolin dhe kompetencat e saj, që siç thotë është një notere.
“Problemi është që këta asnjëri nuk po veprojnë në funksion të asaj sesi funksionojnë qeveritë dhe institucionet në demokraci. Presidentja po ndikohet nga fuqia që e kanë presidentët e republikave presidenciale, mirëpo kjo nuk i ka ato kompetenca. Presidentja është noter, realisht noterizonë vendimet e qeverisë ose të Kuvendit, nënshkruan ligjet, shtetësinë, ndërton raporte me jashtë sa mundet, por është edhe Ministria e Jashtme dhe kryeministri. Por përpjekjet për t’i ndërtuar raportet me bashkësinë ndërkombëtare nga të tri institucionet ka krijuar polarizime që unë nuk i di të cilat janë”, tha Haliti.
Haliti ka komentuar edhe incidentin me presidenten Osmani në aeroportin e Shkupit, të cilin e quan absurd.
“S’ka nevojë të përkeqësohen raportet e Kosovës me Maqedoninë. Por unë dua të them se në çdo aeroport të botës mjetet elektronike futen në skaner. Askush dhe s’lejohet t’i kalojë mjetet elektronike pa i futur në skaner, telefoni, kompjuteri. Çka ka lidhje pasaporta diplomatike, s’ka kurrfarë peshe, veçanërisht pasaporta diplomatike e Kosovës. Për mua është absurde pse të shkohet në Maqedoni për të hipur në aeroplan ajo. Ne kemi aeroportin këtu…Është gabim i madh dhe s’ka pasur nevojë. Është absurd”, thekson Haliti./kp