​Deputeti i PDK-së vendos pankartën e Nagavcit dhe Mihalit në foltore, pyet sa miliona janë vjedhur

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ardian Kastrati ka vendosur në foltoren e Kuvendit të Kosovës një pankartë të ministres së Arsimit, Arberie Nagavci dhe të anëtares së kryesisë Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihalit, si dhe shenjën e shtëpisë botuese “Albas” në mes, duke thënë se përmes saj janë vjedhur miliona.

Ai pati një përplasje me ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci, për çka kjo e fundit u akuzua për vjedhje milionëshe në procesin e subvencionimit me tekste shkollore për nxënësit.

Kastrati i quajti “rrencë” kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe ministren Nagavci.

Ndër të tjera, ai tha se subvencionimi i nxënësve me tekste shkollore është një skenar përmes të cilit është bërë korrupsion e krim i organizuar.

“Kjo është logoja e Albasit, ajo që po e shihni këtu mes Dejona Mihalit dhe kësaj tjetrës. Këto nuk janë aventurat e Cipolinos por janë aventurat e verës me agjin, dhe autore është Nagavci dhe Krenare Lleshi dhe Alida Thaçi. Pra, e ka paguar Albasi këtë. Këto nuk ka nevojë të bëjnë kamuflimi e manipulime e të thonë jo kështu jo deklarimet jo pasuria e të tjera…Me fotografi duam ta ilustrojnë se pse ka ndodhur i gjithë ky skenar kaotik vitin e kaluar për të ardhur deri tek një krim i organizuar me këto milionat e Albasit të cilët i kanë shumëfishuar pasi që ju keni ardhur në pushtet… Po të shpallej një olimpiadë ndërkombëtare për gënjeshtarë ky (Albin Kurti) e zë vendin e parë, por po të shpallej një konkurs ndërkombëtarë nëse ka organizata të tilla të specializuara për ta bërë sa më kaotik fillimin e vitit shkollor, nuk keni konkurrencë e bëni ju. Parvjet me greva, me sindikata dhe vitin e kaluar me këtë temën që po flasim sot… Ky skenar është i organizuar, ka erë të madhe të korrupsionit që shkojnë në krimin e organizuar. Filluat kinse, ofertat janë shtrenjtë, doli atje kompania dhe tha e keni katër për qind më lirë. Kur e bëtë 8 minuta para fillimit të vitit shkollor dolët dhe improvizuat me një vendim. Vendim ky që e dëmtoi buxhetin, mësimdhënësit, shkollën fëmijët…Ju e keni shkelur edhe parimin e Kushtetutës së Kosovës. Sa miliona i keni vjedhur përmes Albasit?”, tha Kastrati.

Lidhur e këto akuza, Nagavci tha se e ka të pamundur të diskutojë për tekstet shkollore me folësit që sipas saj i ka zgjedhur PDK-ja, derisa tha se kjo parti nuk ka ide se si funksionon procesi i furnizimit me tekste.

Nagavci tha se mezi pret që të formohet Komisioni Parlamentar Hetimor lidhur me këtë çështje, e që sipas saj do të mund të hetohen abuzimet dhe keqpërdorimet që janë bërë nga partitë e tjera përgjatë viteve sa udhëhiqnin ministrinë e Arsimit.

Ndër të tjera, Nagavci tha se shumë shpejtë do të publikohet një raport i auditorit, i cili do të tregojë keqpërdorimet miliona euroshe në procesin e dixhitalizimit.

“Do të doja shumë të diskutoja me profesor universitar për tekstet mësimore, por jo është e pa mundur me këta folës që PDK-ja ka zgjedhur t’i bëjë. Ju nuk e keni idenë e procesit të furnizimeve me tekste. Pra, i shihni gjithmonë shtëpitë botuese si euro, si transaksione, si xhirollogari. Ma shpjego pak se si mund të keqpërdoren mjetet kur në vend se të shkojë në xhirollogaritë e tre katër shtëpive botuese, dy siç keni bërë ju shkojnë tek qindra mijëra qytetarë. Përtej kësaj, PDK-ja ka pasur ish ministra të arsimit përfshirë Enver Hoxhën me të cilin ju mburreni. Pse nuk është sot këtu të flas për reformat dhe tekstet. Mezi po pres ta formojmë Komisionin Hetimor. Askush nga ne nuk ka të bëjë me këto ëndrra që ju I shihni…Shumë mirë që fole edhe dixhitalizimin. Një raport i auditorit që do të publikohet shumë shpejtë do të nxjerrë të palarat edhe në dixhitalizim. Miliona euro të keqpërdorura edhe në dixhitalizim nga PDK-ja…Ju do të duhej fare të mos flisni”, tha Nagavci.

Ndërkaq, Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar themelimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për procesin e subvencionimit të blerjes së teksteve shkollore dhe mjeteve mësimore për nxënësit e nivelit të arsimit fillor dhe të mesëm të ulët për vitin shkollor 2023-2024.

Back to top button