Deputeti i VV-së: Nuk e kuptoj me çfarë të drejte flet Rama për Asociacionin, kush ja jep të drejtën atij?

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Arbër Rexhaj sonte në “Click” në RTV21 reagoi lidhur me propozimin e kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama, për Asciacionin, të cilin thotë se e ka dorëzuar në Berlin e Paris.

Rexhaj tha se kryeministri i Shqipërisë këtë veprim e ka bërë pa u koordinuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

“Nuk e kuptoj me çfarë të drejte ai flet për Republikën e Kosovës e në veçanti për Asociacionin. Pra, kush ia jep atij të drejtën të flas të themi për një rregullim të brendshëm shtetëror e që ka të bëjë me Republikën e Kosovës. Për këtë gjë nuk jemi pajtuar”, tha ai për RTV21.

Ai tutje tha se e kuptojnë shqetësimin e “shtetit amë”, megjithatë kjo çështje sipas tij i takon Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur në një konferencë për media se dokumenti është konfidencial, por u shpreh i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.

Marrëveshjen për këtë asociacion, Kosova dhe Serbia e kanë arritur qysh në vitin 2013 në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Por, me gjithë thirrjet e vazhdueshme të komunitetit ndërkombëtar për ta zbatuar atë, Kosova vazhdimisht ka refuzuar me arsyetimin se kompetencat e gjera të Asociacionit do ta kërcënonin funksionalitetin e brendshëm të shtetit./21Media

Back to top button