​Dëshmitari i gjashtë kundër Pjetër Shalës pretendon se u keqtrajtua dy herë

Dëshmitari i gjashtë i prokurorisë, në gjykimin kundër Pjetër Shalës ka pretenduar se në dhomën ku është mbajtur, është keqtrajtuar edhe ai. Fillimisht tha një herë e pastaj tha se u keqtrajtua dy herë.

Ka vazhduar seanca me dëgjimin e dëshmitarit të gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës. Në pranverën e vitit 1999, ai ka pretenduar se personat që po mbaheshin në dhomë janë rrahur e keqtrajtuar.

Prokurori i specializuar ka pyetur për hyrjen e ndërtesës dhe se a kishte ndonjë roje jashtë gjatë kohës sa ishte i ndaluar brenda. Ai ka pretenduar se nga dhoma nuk mund të dilnin, vetëm në rastet kur kërkonin ujë.

Prokurori: A kishte ndonjë roje aty jashtë hyrjes në kohën që ju mbaheshit i ndaluar brenda?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: Nga e dini ju që kishte një roje, që qëndronte jashtë derës?

Dëshmitari: Kur kishte nevojë për me marrë ujë, na hapte derën me marrë ujë.

Prokurori: Ishit i lirë të hynit e të dilnit nga dhoma në atë ndërtesë apo për këtë duhej t’i thoshit rojës?

Dëshmitari: Jo, i thoshim rojës, ai na i hapte derën”, është përgjigjur dëshmitari i gjashtë në gjykimin kundër Pjetër Shalës.

Dëshmitari që mban numrin 11, pretendon se ka pasur edhe persona të tjerë, të cilët janë mbajtur në të njëjtën dhomë.

Prokurori: Kur mbërritët aty, kur ju sollën në atë ndërtesë, a kishte njerëz të tjerë në dhomë ku ju mbajtën edhe juve?

Dëshmitari: Po.

Prokurori: A ju kujtohet afërsisht sa persona kanë qenë?

Dëshmitari: Përafërsisht shtatë-tetë persona, nuk mundem i numërua, por përafërsisht”, ka shtuar ai.

Në pyetjet e prokurorit të specializuar për njerëzit e tjerë që mund të ishin në të njëjtën dhomë me këtë dëshmitar, seanca ka vijuar në sesion privat.

Pas kthimit në transmetim të hapur për publikun, prokurori e ka pyetur për kushtet në vendin që po mbaheshin personat e ndaluar.

Pasi seanca është kthyer në transmetim publik, dëshmitari tha se është keqtrajtuar dy herë nga persona të cilit nuk i kishte parë. Gjatë kohës sa po goditej, dëshmitari ka pretenduar se të njëjtit iu kishin thënë “shpihunë e tradhtarë”.

Dëshmitari: Dy herë kam qenë unë i keqtrajtuar

“Ditën ka ndodhur, një herë me shkop gome në shpinë më ka ra, nuk e kam parë se kush ka qenë. Dhe njëri në syrin e djathtë, ku edhe më ka dhimbur shumë syri dhe kam pasur dhimbje të mëdha dhe lëndime të mëdha në sy. Kështu që dy herë unë kam qenë i keqtrajtuar”, ka thënë dëshmitari.

Intervistimi i dëshmitarit nga ana e prokurorisë do të vazhdojë nesër.

Ky është dëshmitari i gjashtë i mbrojtur i ZPS-së kundër Pjetër Shalës, i cili po përballet me akuza me pretendime për krime lufte.

Pjetër Shala e ka ndjekur këtë seancë përmes video-lidhjes nga Qendra e Paraburgimit.

Shala po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë prej marsit të vitit 2021.

Sipas Speciales “Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999 kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill të atij viti, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Back to top button