Dëshmitari i pestë i Prokurorisë thotë se ishte pjesë e UÇK-së

(Lajm i përditësuar)

Mbrojtja e ish-krerëve të ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK) ka filluar intervistimin e dëshmitarit të pestë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS).

Dëshmitari i mbrojtur i cili mban kodin 3165 ka thënë se UÇK-së i ishte bashkuar në korrik të vitit 1998.

Mbrojtja e ish presidentit Hashim Thaçi, Albert Muskowitz, është interesuar të dijë nëse ky dëshmitar kishte marr ndonjë dokument që dëshmonte se ai ishte pjesë e UÇK-së.

Sipas dëshmitarit, atij nuk i ishte dhënë ndonjë dokument i tillë.

Avokati Moskowitz: Kur iu bashkëngjite UÇK-së, atë datë, atë mbrëmje a nënshkrove ndonjë gjë të vërtetoje që tani je ish anëtarë i UÇ?

Dëshmitari: Po

Avokati Moskowitz: A more ndonjë letërnjoftim, a ndonjë copë letër ku të thuhej që ti tani ishte anëtarë i UÇK-së?

Dëshmitari: Unë kam dal në ora 2 të natës atë natës, kurse të nesërmen i kanë marr shënimet komandanti kush ka qenë aty.

Avokati Moskowitz: Morën shënime por nuk të dhanë ndonjë kartelë, letërnjoftim ku thuhej dhe verifikohej se në vërtet ishte anëtar i UÇK. Nuk e vë në dyshim se ishte anëtar i UÇK, thjesht po përpiqem të kuptoj se a ka pas ndonjë gjë që e vërtetonte dhe t’i mund t’ua tregoje personave që unë tani jam anëtar i UÇK-së?

Dëshmitari: Nuk ma kanë dhënë

Avokati Maskowitz e ka pyetur dëshmitarin edhe për mënyrën se si e kishte siguruar uniformën.

Lidhur me këtë, dëshmitari ka thënë se vetë e kishte blerën copën vetë për ta qepur uniformën.

Avokati Moskowitz: Po uniformë, të dhanë ndonjë uniformë atë kohë?

Dëshmitari: I kemi blerë vetë nuk ka pas në atë kohë, u dashtë me ble si ceradë kena ble kamufllazh dhe i kena ba veshë ushtarake.

Avokati Moskowitz: Pra, nuk të dhanë para për ta blerë uniformën, e ke blerë vetë. Uniforma ishte e gatshme kur e bleve apo bleve copën dhe e qepe?

Dëshmitari: Në atë kohë blejshim copa dhe i qepshim.

Avokati Moskowitz: Nga e dije se çfarë cope të bleje, kishte ndonjë rregullore që të tregonte se çfarë cope duhet të bleje në verën e ‘98?

Dëshmitari: Si cerada, ato i kena ble edhe ato i kena kep.

Dëshmitari ka thënë se armë nuk i kishin dhënë, por atë e kishte siguruar nga një bashkëfshatar.

Avokati Moskowitz: Kur iu bashkëngjite UÇK-së a të dhanë armë?

Dëshmitari: Armën e kisha marr nga një bashkëfshatar

Avokati Moskowitz: Si ndodhi që ky bashkëfshatari të dha armën e tij, po ai vetë nuk ishte në ushtri atë kohë?

Dëshmitari: Po ish lodhë, ish mërzitë ku ta di unë dhe më tha kush kërkon për me dal muj me ia dhanë edhe me kam marr.

Mbrojtësi i ish-presidentit ka thënë se meqenëse atyre që kyçeshin në UÇK nuk iu jepet ndonjë dokument që dëshmon se janë pjesëtarë të UÇK, copën për uniform mund ta blinte çdokush.

Më pas dëshmitari tha se nuk beson që dikush ka blerë uniformë pa qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Moskowitz: Çdo njeri mund të blinte materialin për të bërë uniformë

“Duke pas parasysh që atyre që kyçeshin në UÇK nuk u jepnin ndonjë dokument, kjo tregon se çdo njeri po të donte mund të blinte copën të bënte uniformën edhe pa qenë në UÇK sepse gjërat ishin kështu jo zyrtare”, ka thënë avokati.

Pas kësaj, seanca ka vijuar e mbyllur për publikun, me pyetjet e mbrojtjes së Thaçit.

Dëshmitari me kodin 3165 ZPS-së ka filluar dëshminë e tij të mërkurën, ndërsa para tij janë dëgjuar katër dëshmitarë të tjerë të Prokurorisë.

Të gjithë kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse dhe në seancë të mbyllur për publikun.

Ndërsa të mërkurën, trupi gjykues u ka kërkuar parashtrime palëve, der më 31 maj, në lidhje me hapat konkret që mund të merren për të siguruar që procedurat të jenë publike në shkallë më të lartë.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm

​Mbrojtja e Thaçit kërkon seanca publike në Hagë

Në hapje të seancës gjyqësore në rastin kundër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, mbrojtja e Hashim Thaçit, Gregory Kehoe, shprehu kundërshtimin për seancat të cilat po mbahen të mbyllura dhe kërkoi që procedurat të jenë të hapura për publikun.

Kehoe tha se duan që procedurat të mbahen hapura dhe të merret vesh e vërteta, derisa theksoi edhe shqetësime praktike në ndjekjen e metodave të përdorura nga Zyra e Prokurorit të Specializuar(ZPS).

“Siç e keni vënë re i kemi kundërshtuar të gjitha masat e përdorura nga ZPS për seanca të mbyllura, hapura e masa mbrojtëse. Por, dua të tërheqë vëmendjen se jo vetëm se kundërshtojmë sepse duam që procedurat të mbahen hapura të merret vesh e vërteta, por kemi edhe shqetësime praktike në ndjekjen e metodave të përdorura nga ZPS. Ata kanë mundësi të futen e të dalin sipas dëshirës apo fakteve individuale. Për ne mbrojtësit është shumë e vështirë që t’i bëjmë pyetjet tona kur të na vije radha duke kaluar sa tek njëra sa tek tjera. Kjo është një çështje shumë praktike. Unë ngrihem në emër të ekipit sepse edhe ne do të kemi dëshmitarë, kemi edhe dy dëshmitarë me masa të mëdha. Është një shqetësim praktik”, tha ai.

Kehoe po ashtu u shpreh se si pasojë e seancave të mbyllura që po mbahen për publikun kanë vështirësi edhe në parashtrim të pyetjeve.

“Është një shqetësim shumë real nga ana jonë si mbrojtje që publiku të kuptoj se për çfarë pyesim ne duke pas parasysh gjithë këto vështirësi, prandaj edhe kërkojmë të jemi në procedurë të hapura. Procedura është shumë e vështirë nga ana jonë sesa nga ana e prokurorisë është shqetësim praktik… janë edhe dy dëshmitarë në këtë bllok që kanë masa mbrojtëse të mëdha për të parë nëse janë absolutisht këto masa mbrojtëse apo bazohen në njëfarë shqetësimi që mund të ketë Prokuroria që kemi parë deri tani. ”, theksoi ai.

Ndërsa, prokurorja Deborah Mayer tha masat mbrojtëse për dëshmitarët janë marr me kërkesë të ZPS-së dhe sipas saj për shkak të frikësimit të dëshmitarëve.

“Ka disa shqetësime siç e dini dhe e them masat mbrojtëse janë marr në bazë të kërkesave tona të marra nga trupi gjykues ku I kemi vënë në dukje arsyet dhe u kemi marr mendimet. Shqetësimet kryesore nuk vijnë nga ne por nga frika, frikësimi i dëshmitarëve të cilat nuk e kontrollojmë dot ne si Prokurori, pra po të kishim mundësi t’i parandalonim do t’i bënim. Përveç një dëshmitari të gjithë dëshmitarët kanë dëshmuar disa pjesë publikisht. Ka pasur edhe raste kur ZPS ka kërkuar të kalojmë në seancë publike dhe mbrojtja ka thënë se nuk është e përgatitur ta bëjë këtë“, theksoi ajo.

Më pas mbrojtja e Thaçit reagoi duke thënë se ata e kanë kundërshtuar mbajtjen e seanca të mbyllura.

“Është vetëm nga ana juaj ne e kemi kundërshtuar, ne kemi kundërshtuar, kemi vite që të kundërshtojmë. E di cila është ideja bazë pra ne nuk pajtohemi me atë qëndrim, dhe duam t’i zhvillojmë në seancë të hapur”, tha ai.

E kryegjykatësi, Charles L. Smith u shpreh se nuk po fajësojnë askënd por duan metoda praktike për tu mbajtur seancat e hapura.

“Ne nuk po fajësojmë asnjërin prej juve ne duam që ju vetë të dilni me metoda praktika, nuk ka nevojë për komente nëse se bëni dot do ta bëjmë ne si trup gjykues, por ne po ua kërkojmë ju sepse mendojmë se do të jetë një zgjidhje më e mirë“, tha ai.

Në anën tjetër, mbrojtësi i viktimave gjatë kësaj seance tha se është e gabuar që të krijohet përshtypja që ZPS i ka përdorur seancat private për arsye se nuk janë mirë të bazuara.

“Do të ishte shumë e gabuar që njeriu të krijoj përshtypje që ZPS i ka përdorur seancat private për arsye se nuk janë të mirë bazuara. Siç e dinë të gjithë ka një klimë reale frikësimi nga ana e viktimave për të cilat janë masa mbrojtëse”, tha ai.

Pas kësaj, po vazhdon intervistimi i dëshmitarit të pestë të Prokurorisë, nën masa mbrojtëse.

Në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, deri tani kanë përfunduar dëshmitë e katër dëshmitarëve të prokurorisë.

Dëshmia e tyre nuk është bërë e ditur për publikun dhe të njëjtit kanë dëshmuar nën masa mbrojtëse.

Ish-krerët e UÇK-së, për të cilët prokuroria pretendon se kanë kryer krime lufte, po gjykohen pas një procedure paraprake që ka zgjatur më shumë se dy vjet.

Gjatë krejt kësaj kohe, ish-presidenti Thaçi, ish-kryeparlamentarët Krasniqi dhe Veseli, si dhe ish-deputeti Selimi, po qëndrojnë në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjet e tyre para gjykatës ata janë deklaruar të pafajshëm

Vazhdon edhe sot gjykimi në rastin Thaçi dhe të tjerët

Edhe sot do të mbahet seancë gjyqësore ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale në Hagë.

Gjykimi ndaj tyre do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Seanca është njoftuar të nisë në ora 09:00, teksa nuk dihet nëse do të mbahet e mbyllur apo e hapur për publikun.

Aktakuza e parë kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe u bë publike më 5 nëntor 2020. Më 22 korrik 2021, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, përmes dy vendimeve, miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të korrigjojë dhe ndryshojë aktakuzën, mes tjerash, duke përjashtuar përgjegjësinë e ndërmarrjes së përbashkët kriminale III për krime me synim konkret (tri apele kundër këtij vendimi, të dorëzuara nga Thaçi, Selimi dhe Krasniqi, u hodhën poshtë nga Gjykata e Apelit më 22 gusht 2022).

 

Back to top button