Dëshmitari Parduzi rrëfen sesi ishte plagosur dhe kur ishte takuar me Salih Mustafën

Kapllan Parduzi është dëshmitari i tetë i mbrojtjes së Salih Mustafës, i cili sot para trupit gjykues në Hagë ka folur për takimet me të akuzuarin që sipas tij, kanë ndodhur në korrik të vitit 1998. Dëshmitari Parduzi ka treguar për plagosjen e tij më 10 prill 1999 dhe ku ishte trajtuar dhe si ishte tentuar për ta dërguar në Maqedoni për shërim.
Ndërkohë që, ka treguar edhe sesi ishte ndihmuar nga Salih Mustafa.
Dëshmitari, Kapllan Parduzi është shprehur se për herë të parë Salih Mustafën e ka takuar me më shumë gjasa në Bajgorë, sepse aty sipas tij, Mustafa kishte dërguar njerëz për tu rekrutuar në UÇK.
Kapllan Parduzi ka treguar se nga maji i vitit 1998 ka qenë pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkatësisht brigadës 151.
Parduzi i është përgjigjur pyetjeve të avokatit, Betim Shala.
Avokati Shala: Salih Mustafën nga cila periudhë kohore e njihni?
Dëshmitari: Fizikisht e njoh prej ‘98, kurse si Salih e njoh shumë herët sepse ka qenë i përndjekur ka shkruar edhe shtypi dhe e kam njohur përmes shtypit si emër, por fizikisht në 98’ën.
Avokati Shala: Ku e keni takuar fillimisht në vitin 1998 nëse iu kujtiohet?
Dëshmitari: Mund të jem i gabuar por ose në Bajgorë ose në Zabërgj, ka gjasë më të mëdha në Bajgorë sepse në atë kohë sillte njerëz që dëshironin të kyçen në UÇK, në radhët e saj dhe i sillte për ushtrime ushtarake.
Avokati Shala: a ju kujtohet a keni pasur kontakt personal dhe sa ka zgjatur?
Dëshmitari: Po kemi pasur kontakt sepse ka qenë absurditet të mos takohemi, jemi përshëndetur, kohëzgjatja mund të them maksimumi një orë, mund të jetë më pak por jo më shumë.
Avokati Shala: Thatë se Salih Mustafën e keni takuar në vitin 1998. A iu kujtohet data apo muaji i viti 1998 që e keni takuar Salih Mustafën?
Dëshmitari: Data nuk mund të më kujtohet sepse nuk kemi mbajtur shënim, muaji mund të ketë qenë korriku megjithatë mund të jetë korriku përafërsisht po nuk jam i saktë.
Avokati Shala: Gjatë atij takimi a jeni interesuar për veprimtarinë e Salih Mustafës në periudhën kohore 1998?
Dëshmitari: Veprimtaria e Salih Mustafës ka qenë edhe veprimtari e imja sepse kemi qenë e kemi pasur një qëllim, ka qenë gjetja e radhëve të UÇK-së, kjo ka qenë.
Avokati Shala e ka pyetur dëshmitarin Parduzi se a ka qenë në Zllash dhe pse ka qenë aty.
Parduzi ka thënë se ka qenë 4-5 herë për të dërguar armatim dhe se ka marrë veshmbathje dhe ushqime, të cilat i ka dërguar në Bradash.
Avokati: Gjatë vitit 1998 dhe deri në qershor të vitit 1999 ju personalisht a keni qenë në fshatin Zllash?
Dëshmitari: Po kam qenë.
Avokati: Sa herë keni qenë?
Dëshmitari: Në 98’ën kam qenë njëherë i kemi dërguar disa armë dhe municion dhe në 99’ën kam qenë 2 ose 3 herë, gjithsej 4-5 herë.
Avokati: Herën e parë kur keni shkuar në Zllash në vitin 1998 a iu kujtohet në cilin muaj apo datë të viti 1998 keni qenë aty?
Dëshmitari: Datat janë shumë të rralla që të mbahen mend sepse nuk kemi qenë në situatë që të mbajmë ditarë dhe shënime dhe të shënohen data sepse ka qenë jeta tepër dinamike, ngjarjet janë zhvilluar shumë dinamike dhe fatkeqësisht edhe dramatike, nëse nuk gaboj ka qenë diku tetori i 98’tës i kam dërguar disa armë dhe municion dhe kam marr ndihma veshmbathje, ushqimore prej Zllashit sepse ka qenë një qendër pikë grumbulluese e nevojave për ndihma në tërë zonën.
Avokati: në cilin vend jeni pajisur me atë armatim?
Dëshmitari: Armatimin e kam marr në brigadën 151 në Bradash.
Dëshmitari i tetë në rastin e Salih Mustafës ka treguar se dje më 10 prill janë bërë 23 vjet prej kur ishte plagosur.
Ai ka deklaruar se ka qenë shumë rëndë i plagosur dhe nga shokët e tij është bartur në Turuqicë dhe më pas e kanë dërguar në një spital të improvizuar në fshatin Potok, ku në pjesën dërrmuese rruga ishte siguruar nga Salih Mustafa.
“Më 10 prill 1999 që i bie nuk e di a është koincidencë apo e qëllimshme, të shtunën e kaluar bëhen 23 vite, kurse me datë 23 dhe pas 23 vite gjenden para Dhomave të Specializuara… Kam qenë tepër rëndë i plagosur ka qenë edhe komandat Leka por ma lehtë dhe ai ka vazhduar luftimet tërë ditën dhe mua më kanë bartur disa shokë në fshatin Turuqic… Nga aty e kemi pasur spitalin e improvizuar në fshatin Potok”, është shprehur Parduzi.
Në spitalin e improvizuar në Potok, ai ka deklaruar se ka qëndruar diku deri tek fundi i prillit 1999, ku më pas janë zhvendosur në fshatin Popovë për shkak të luftimeve dhe granatimeve të përditshme.
Nga fshati Popovë, Parduzi ka deklaruar se i kanë marrë dhe i kanë dërguar në Zllash, me qëllimin për ta deportuar nga aty për në Tetovë, për shërim të mëtutjeshëm.
Ndërsa, në Zllash, ai ka thënë se sa i kujtohet sigurisht ka qenë diku në fund të prillit ose në fillim të majit, porse ka theksuar se nuk është i sigurt, kjo kur ishte bërë tentimi i parë për të kaluar në Maqedoni, që nuk kishte pasur sukses. Ndërkaq, është shprehur se e kishte parë Salih Mustafën në Zllash, kalimthi.
Avokati: Në fund të prillit dhe fillimi të majit 1999 kur keni shkuar në Zllash me qëllim që tu iu transportojnë për Maqedoni a e keni takuar Salih Mustafën?
Dëshmitari: Po e kam parë kalimthi.
Avokati: A ju kujtohet herën e parë kur keni qenë në Zllash fundi i muajit prill dhe fillimi i muajit maj i viti 1999 kur them herën e parë e lidhin me tentimin për të shkuar në Maqedoni a iu kujtohet se ku keni qenë i vendosur?
D]ëshmitari: Po më kujtohet.
Avokati: A mund të na tregoni ku?
Dëshmitari: Po, në një shtëpi private e imporvizuar nuk e di çka t’i them një lloj ambulante, po e quaj kushtimisht spital, sepse nuk ka qenë spital por e asaj natyre sa me pushua dhe me mundur me i marr shërbimet elementare infuzion, injeksion e kështu.
Sipas tij, tentimi i dytë ishte bërë rreth 20 majit, apo ka mundur të jetë 15 maji, ku kësaj here kanë arritur me sukses të kalonin në Maqedoni dhe se personalisht i kishte përcjellur Salih Mustafa deri në një fshat.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke vazhduar procesi gjyqësor ndaj ish pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafës.
Mustafa është arrestuar më 24 shtator të vitit 2020 me pretendimin për krime lufte.
Sipas Dhomave të Specializuara “Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, ishin kryer krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave”. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se “në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”.
Salih Mustafa po qëndron në paraburgim në Hagë, ndërsa në paraqitjen e tij para trupit gjykues ai është deklaruar i pafajshëm./Kp

Back to top button