Dështoi përpjekja e katërt për konstituim të Kuvendit, deputetët mblidhen prapë të mërkurën

(Lajm i përditësuar)
LVV-ja kërkoi marrëveshje politike, a është i gatshëm Kurti për kompromis?
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka treguar nëse janë të gatshëm për të bërë kompromis politik sa i përket zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit.
Pas dështimit të serishëm të konstituimit të Kuvendit, ku nga LVV-ja u kërkua arritja e një marrëveshje politike për zgjidhjen e ngërçit, Kurti nuk foli për mediat kur u pyet nga KosovaPress nëse do të bëjnë ndonjë kompromis me partitë të tjera parlamentare për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
LVV-ja ka propozuar për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, mirëpo e njëjta dy herë me radhë nuk mori votat e nevojshme në vazhdimin e seancës më 19 prill.
Ndërkaq, në seancën e sotme emri i saj për kryetare të legjislativit nuk u hodh fare në votim, pasi siç u tha situata nuk ka ndryshuar.
Seanca për konstituimin e Kuvendit ka nisur më 15 prill, ndërkaq betimi i deputetëve është bërë më 19 prill.
Pas betimit, hapi i radhës është zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit që do të shënonte konstituimin e organit legjislativ si dhe do t’i hapte rrugë votimit të qeverisë së re.
Limaj: Duhet gjetur një rrugë
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj pas ndërprerjes së seancës konstituive, ku Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar arritjen e një marrëveshjeje politike për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit tha se ky “është një qëndrim korrekt nga ana e tyre”.
“Unë besoj se ishte një qëndrim korrekt, ky është realiteti. Në situatën të cilën është duhet gjetur një rrugë. Në fund të fundit kjo është mënyra e funksionimit të bashkëpunimit që Kosova t’i formojë institucionet e veta”, tha Limaj.
Abdixhiku: LVV-ja ta kuptojë që për ta zgjedhur kryetarin duhet shumicë parlamentare
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku pas dështimit të seancës konstituive tha se Lëvizja Vetëvendosje “duhet ta kuptojë se për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit duhet të kenë kompromis dhe shumicë parlamentare”.
Abdixhiku tha se LDK se në asnjë rrethanë nuk do të ketë kompromis me LVV-në.
“Lëvizja Vetëvendosje duhet të kuptojë që për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit duhet kompromis dhe shumicë sepse kështu ka vendosur qytetari i Kosovës… Natyrisht se jo, në asnjë rrethanë LDK-ja nuk gjen kompromis me LVV-në”, tha Abdixhiku.
Kusari-Lila: Zgjedhjet mbeten zgjidhja më e pranueshme
Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listë të përbashkët me Lëvizjen Vetëvendosje, ka deklaruar se zgjedhjet mbeten zgjidhja më e afërt e ngërçit politik në vend. Megjithatë, shtoi se është ende e mundur që Kuvendi të konstituohet brenda pak ditësh, nëse partitë politike tregojnë reflektim.
Në një deklarim për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila tha se marrëveshje politike kanë me disa parti politike të komunitetit jo-shumicë.
“Me këto qasje të cilat, mënyrën si po tregohet, ose po barrikadohet nga partitë tjera parlamentare, me të vërtetë duhet të dakordohemi me një temë tjetër. T’i thërrasim të gjitha grupet politike, të konstituojmë Kuvendin dhe të dakordohemi që me 80 vota, ta shpërndajmë Kuvendin dhe shkojmë në zgjedhje tjera. Në rrethanat aktuale, me deklarimet aktuale, kjo duket se është zgjedhja më e afërt dhe më e pranueshme. Kështu, ashtu i kemi pasur vetëm deklarimin dhe ofrimin bile edhe të datave potenciale të kryetarit të partisë, PDK, Memli Krasniqi, për atë se kur vendi do të shkojë në zgjedhje të tjera parlamentare. Prandaj, shumë e thjeshtë, ne nuk jemi të interesuar që kjo bllokadë të vazhdojë, nuk jemi të interesuar sipas disa teorive që duam t’i bëjmë zgjedhjet së bashku, lokale dhe nacionale, nuk jemi të interesuar të shtymë këtë situatë pafund deri në zgjedhjen e presidentes, as një nga këto skenare nuk është valide”, tha ajo.
Derisa foli për opozitën, Kusari-Lila tha se ekzistojnë marrëveshje politike me disa parti të komuniteteve joshumicë, që mund të ndihmojnë në zhbllokimin e situatës institucionale.
“Nëse partitë politike reflektojnë, në dy ditët në vijim mund të kemi konstituimin e plotë të Kuvendit,” u shpreh ajo.
Megjithatë, ajo kritikoi qasjen e disa partive në raport me emrin e kryeparlamentarit.
“Ata po na e përcaktojnë emrin e kryeparlamentarit, a t’ua përcaktojmë edhe ne emrat e nënkryetarëve”, u shpreh ajo.
Murati akuzon partitë opozitare për bllokim të konstituimit të Kuvendit
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, u ka hedhur fajin partive opozitare, duke thënë se po bllokojnë konstituimin e Kuvendit të Kosovës.
Ai ka thënë se të gjithë deputetët i detyron Kushtetuta që të marrin pjesë në votim.
“Edhe një seancë të radhës, pra, ku partitë opozitare, subjektet opozitare, vazhdojnë bllokadën apo vazhdojnë taktikat bllokuese në konstituimin e Kuvendit. Kushtetuta është mjaft e qartë. Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë që është e drejtë ekskluzive e partisë fituese ta propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi, ndërsa, për dallim prej mënyrës se si formohet qeveria – ku partia fituese duhet të sigurojë edhe shumicën – te votimi për kryesinë e Kuvendit, pra kryetarin dhe nënkryetarin, kemi edhe interpretimin e Gjykatës Kushtetuese ku kërkohet që të gjithë deputetët duhet të jenë prezent dhe e kanë obligim që të votojnë.
Pra, duhet të marrin pjesë të gjithë deputetët, pasi që është detyrë e krejt partive parlamentare që të konstituojnë Kuvendin, që të votojnë për kryesinë e Kuvendit”, tha Murati.
Se votojmë Haxhiun, është simbol i dështimit të kësaj Qeverie”, Krasniqi: LVV të gjejë kandidat tjetër
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, pas seancës ka thënë se propozimi i LVV-së për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu, nuk do të marrë vota nga PDK-ja.
Madje ai e ka quajtur Haxhiun si simbol të dështimit të Qeverisë.
Sipas Krasniqit, Vetëvendosje ka të drejtë ta propozojë kryetarin e Kuvendit, por jo edhe ta imponojë votimin:
“Sepse nuk mundet me çdo kusht me vendosë, por këdo që e propozon sot, përsëri po e shihni që këta po e vazhdojnë bllokadën e krijimit të institucioneve. Në vend se të kërkojnë një kandidat apo kandidate tjetër, kandidatja e cila ka dështuar disa herë radhazi – që do të dështonte edhe sot, e besoj edhe pasnesër dhe kurdo që rrjedhëm – nuk mundet me qenë më e rëndësishme sesa krijimi i institucioneve, konsolidimi dhe materializimi i verdiktit dhe votës qytetare të datës 9 shkurt”, tha Krasniqi.
“Andaj, rrugëdalja është tashmë e qartë: Lëvizja Vetëvendosje duhet ta gjejë një kandidat apo kandidate tjetër, sepse kandidatja që ka dështuar, do të dështojë përsëri për të marrë shumicën. Dhe unë besoj që nuk duhet ta lëmë peng Kuvendin e Kosovës, por edhe Qeverinë e ardhshme, për shkak të tekeve – qofshin ato edhe probleme të brendshme apo çkado qoftë. Kandidatja Haxhiu nuk do të ketë mbështetjen tonë në asnjë rrethanë dhe në asnjë moment. Ajo është simbol i dështimit të kësaj Qeverie.
Në katërvjeçarin e kaluar, krejt mandatin e ka pasë të përcjellur me skandale të ndryshme: prej zhdukjes së mostrave të Astrit Deharit, e deri te ulja e buxhetit për mbrojtjen e çlirimtarëve në Hagë. Ka shumë e shumë dështime, në mesin e të cilave po ia rikujtoj edhe këtë ligjin banal për Qeverinë, i cili ka lidhur nyje pikërisht Vetëvendosjen. Kështu që, rruga është e qartë – duhet me ndryshu kandidaten, pastaj ndoshta mund t’i ndryshojmë gjërat.”, tha ai/21Media
Bajrami për Vetëvendosjen: S’mundet me i mësu deputetët e partive tjera si me votu
Deputetja e LDK-së Hykmete Bajrami pas seancës së Kuvendit në tha se është e qartë se partia ku ajo bën pjesë nuk janë bllokuesit.
Duke iu referuar Vetëvendosjes ajo tha se ka dalë partia e parë në zgjedhje dhe shtoi se kjo parti nuk ka të drejtë të ushtrojë presion deputetëve të partive tjera.
“Ne kemi një parti politike e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 29 shkurtit dhe e cila po kërkon me i detyru dhe me i mësu edhe deputetet e partive të tjera si me votu , dmth kjo sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës deputetët janë përfaqësues të popullit dhe nuk i ushtrohet kurfarë presioni detyrues. ”, tha Bajrami./21Media
Shtyhet seanca konstituive, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike
Ka dështuar sërish seanca për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti Glauk Konjufca ka kërkuar kohë shtesë, pasi siç deklaroi ai partitë politike janë deklaruar se janë me qëndrime të njëjta lidhur me votimin për emrin e Albulena Haxhiut Kryeparlamentare.
“Ne kemi emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun. Kemi parë që kanë deklaruar se do të kishin qëndrimin e njëjtë. Nëse do ta kishim shumicën do të mund t’i bllokonim edhe nënkryetarët.
Kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari shtyu seancën për të mërkurën në ora 10:00.
Shtyhet seanca konstituive, Vetëvendosje kërkon marrëveshje politike
Ka dështuar sërish seanca për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Deputeti Glauk Konjufca ka kërkuar kohë shtesë, pasi siç deklaroi ai partitë politike janë deklaruar se janë me qëndrime të njëjta lidhur me votimin për emrin e Albulena Haxhiut Kryeparlamentare.
“Ne kemi emrin e njëjtë, Albulena Haxhiun. Kemi parë që kanë deklaruar se do të kishin qëndrimin e njëjtë. Nëse do ta kishim shumicën do të mund t’i bllokonim edhe nënkryetarët.
Kërkojmë kohë shtesë që të mos përsëritet situata e njëjtë.
Kryesuesi i Kuvendit, Avni Dehari shtyu seancën për të mërkurën në ora 10:00.
Deputetët e Listës Serbe arrijnë në sallën e Kuvendit
Deputetët e Listës Serbe kanë arritur në sallën e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të vazhdojë seanca për zgjedhjen e kryeparlamentarit.
Ata shihen teksa nënshkruajnë për praninë në sallën e seancave plenare.
Me 40 minuta vonesë, nis seanca e Kuvendit
Me mbi 40 minuta vonesë ka nisur vazhdimi i seancës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Tashmë në sallë kanë mbërritur deputetët e të gjitha grupeve parlamentare.
Vazhdimi i seancës për zgjedhjen e kryeparlamentarit të ishte thirrur për në ora 15:00.
Ky është vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit.
Deputetët e Vetëvendosjes thanë se edhe sot për kryetare të Kuvendit do të propozohet emri i Albulena Haxhiut, e cila të shtunën nuk arriti të sigurojë votat e mjaftueshme.
Haxhiu mori vetëm 57 vota.
Krasniqi: Nëse VV nuk mundet me i bë votat për kryetar të kuvendit, duhet të mendohen opsionet tjera
Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi, ka thënë se zgjedhja e kryeparlamentarit i takon partisë së parë.
“Edhe sot ne jemi këtu për të mundësuar konstituimin e kuvendit dhe për të ecur përpara. Normalisht që për të zgjedhur kryetarin e kuvendit është përgjegjësia e atij që e propozon dhe besoj që atyre i takon t’i bëjnë votat nëse munden, nëse jo atëherë unë besoj që duhet me mendu edhe për opsione tjera të cilat parashihen me kushtetutë dhe me ligj”, tha ai.
“Gjithmonë”, tha Krasniqi kur u pyet se a janë zgjedhjet opsion.
LVV ka një thirrje për opozitën para seancës konstituive
Lëvizja Vetëvendosje pritet të kandidojë sot Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit, për herë të tretë pas dy dështimeve në seancën e kaluar.
Ndërsa opozita ka hedhur poshtë mundësinë e votimit të Albulena Haxhiut, deputeti i LVV-së Hekuran Murati tha se po presin që opozita ta zhbllokojë Kuvendin dhe ta votojnë kryeparlamentaren, raporton KosovaPress.
“Ajo çka duhet të kuptojnë edhe subjektet opozitare që janë në Kuvend, është se, sipas Kushtetutës, interpretimeve nga Gjykata Kushtetuese, e drejta për të propozuar dhe pasur pozitën e kryekuvendarit i takon ekskluzivisht partisë fituese. Ne po presim ngjashëm si rasti i mëhershëm i bllokadës së Kuvendit për raportin e konfirmimit të mandateve edhe që në fund pastaj opozita u pajtua me qëndrimin tonë dhe u detyruan ta votojnë unanimisht, ngjashëm e kemi dhe situatën tani. Ka një mospajtim me partive opozitare me rezultatin zgjedhor”, tha Murati.
Haradinaj: Ta shohim kënd do ta propozojnë, ne i kemi përmendur dy emra që mund t’i votojmë për kryetare të Kuvendit
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj përsëriti se deputetët e kësaj partie do të votonin pro një kandidate për kryetare të Kuvendit nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje, nëse ajo do të ishte Saranda Bogujevci apo Shqipe Mehmeti Selimi.
Në rast se ripropozohet Albulena Haxhiu, siç ka paralajmëruar LVV-ja, Haradinaj tha se do të votojë kundër.
“Ta shohim se kënd do ta propozojnë. Ne i kemi bërë publik dy emra që jemi të gatshëm me i votu dhe nëse propozohet ndonjëri prej tyre, vota jonë është pro si grup parlamentar”, tha ai.
Deputetët mbërrijnë për seancën konstituive
Deputetët kanë mbërritur në sallën e seancave plenare, ku do të tentohet për herë të katërt të konstituohet legjislatura e nëntë e Kuvendit.
I pari që erdhi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj.
Në sallën plenare mbërritën edhe deputetët e LDK-së dhe Nismës Socialdemokrate, ndërkaq seanca nuk ka filluar ende, përkundër që vazhdimi i seancës konstituive është paraparë të fillojë në orën 15:00.
Gjithashtu kanë mbërritur edhe deputetët e PDK-së.
Seanca konstituive do të vazhdojë në pikën e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit, ku partia e parë në zgjedhje, Lëvizja Vetëvendosje ka nominuar deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit.
Mirëpo e njëjta nuk ka marrë votat e mjaftueshme në seancën e kaluar për të marrë këtë detyrë.
Ajo mori votat e 57 deputetëve, 20 ishin kundër ndërkaq, tre abstenuan.
Në bazë të deklaratave publike, partitë parlamentare nuk kanë lëvizur nga pozicionet paraprake.
A i ka Vetëvendosje numrat sot? Kështu përgjigjet Kryeministri!
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti po vazhdon të injorojë mediat duke mos e thënë asnjë fjalë nëse ai dhe partia e tij i kanë votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Ai edhe sot kur mbërriti në Kuvend, për vazhdimin e seancës nuk e tha asnjë fjalë.
Partia e tij, propozoi të shtunën emrin e Albulena Haxhiut për kryetare të Kuvendit, por që nuk mori votat e mjaftueshme.
Limaj: Kosova do t’i fitojë institucionet e veta
Kryetari i Nismës Socialdemokrate nuk ka folur lidhur me diskutimet për arritjen e një marrëveshje me Lëvizjen Vetëvendosje.
Ai nuk është ndalur që të komentojë para gazetarëve, por vetëm ka thënë shkurt se “Kosova do t’i fitojë institucionet e saj”.
Këto deklarime ai i ka bërë teksa ka arritur në Kuvend, ku pritet të mbahet vazhdimi i katër i seancës konstituive të Kuvendit.
Rexhaj: Jemi në konsultime dhe dialog me Nismën
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka konfirmuar se kjo parti do të vazhdojë të mbështesë Albulena Haxhiun si kandidate për kryetare të Kuvendit, edhe në seancën e sotme konstituive që nis nga ora 15:00.
Ai deklaroi se nuk do të propozojnë ndonjë emër tjetër për këtë post.
Në një prononcim për mediat para fillimit të seancës, Rexhaj njoftoi gjithashtu se Vetëvendosje është në diskutime me Nismën Socialdemokrate për të arritur një marrëveshje që do të mundësonte zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe më pas votimin e Qeverisë së re.
“Jemi në konsultime dhe dialog me Nisëm, së shpejti do ta kemi një përfundim”, ka thënë Rexhaj.
Brahimaj: Si AAK votojmë Shqipe Selimin për kryetare të Kuvendit nëse propozohet nga LVV-ja
Deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj ka folur nëse do të ketë ndonjë propozim nga radhët e kësaj partie në seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit, në tentimin e katërt, pas dy dështimeve për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e legjislativit.
Para seancës konstituive, Brahimaj tha se AAK-ja e do ta votojnë Shqipe Selimin nga radhët e VV-së nëse kjo e fundit do të jetë kandidate për të parin e Kuvendit.
“Unë e kisha votuar Shqipe Selimin nëse e propozojnë. Nëse jo, ne do të mbajmë këtë qëndrim”, tha Brahimaj.
Kujtojmë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj kishte përmendur emrin e Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit në seancën e kaluar për t’i votuar si kryetar të Kuvendit nëse ndonjëra prej tyre do të propozohej nga partia fituese.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi ish-ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e mjaftueshme në dy tentimet e para.
A ka marrëveshje VV-NISMA, Gërvalla: Kur të hyjmë në sallë do ta shihni rezultatin
Deputetja e VV-së, Donika Gërvalla ka thënë se Kryeparlamentari i takon partisë fituese.
Ajo shpreson që sot në të zhbllokohet gjendja në Kuvend dhe që partitë opozitare “t’i respektojnë rregullat demokratike dhe ta votojnë Kryepalamentaren”.
“Ju e dini që Kryeparlamentari i takon koalicionit fitues. Prandaj shpresoj që sot do të zhbllokohet gjendja në Kuvend edhe thirrja e partive opozitare që të respektojnë rregullat demokratike edhe ta votojnë kryepalrmanetaren e Kuvendit e cila nuk ka si të jetë ndryshe, përveç nga koalicioni fitues, i partisë Guxo dhe VV dhe Alternativën. Ky është plani dhe do të shohim.
E pyetur nëse ka marrëveshje mes VV-së dhe NISMËS, Gërvalla tha se kur të hyni në sallë do e shihni.
“Kur të hyjmë në sallë do ta shihni rezultatin, s’është rruga vendi ku diskutohen këto gjëra. Do ta shihni a a do të ecim sot përpara apo do të vazhdojmë me bllokada si këto”, tha Gërvalla.
“Është gjëja më normale pas fitores në zgjedhje dhe pas kapërcimit të një bllokade. Nuk shoh asnjë sens në bllokimin e Kuvendit”, shtoi tutje Gërvalla.
Numrat për zgjedhjen e kryeparlamentarit, Krasniqi: Ne e votojmë propozimin e VV-së
Brahimaj nga AAK-ja tregon nëse do ta votojnë Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit
Deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj ka folur nëse do të ketë ndonjë propozim nga radhët e kësaj partie në seancën e sotme për konstituimin e Kuvendit, në tentimin e katërt, pas dy dështimeve për zgjedhjen e Albulena Haxhiut si kryetare e legjislativit.
Para seancës konstituive, Brahimaj tha se AAK-ja e do ta votojnë Shqipe Selimin nga radhët e VV-së nëse kjo e fundit do të jetë kandidate për të parin e Kuvendit.
“Unë e kisha votuar Shqipe Selimin nëse e propozojnë. Nëse jo, ne do të mbajmë këtë qëndrim”, tha Brahimaj.
Kujtojmë, kreu i AAK-së Ramush Haradinaj kishte përmendur emrin e Shqipe Selimit dhe Saranda Bogujevcit në seancën e kaluar për t’i votuar si kryetar të Kuvendit nëse ndonjëra prej tyre do të propozohej nga partia fituese.
Lëvizja Vetëvendosje propozoi ish-ministren e Drejtësisë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, por ajo nuk mori votat e mjaftueshme në dy tentimet e para.
Abdixhiku: Do të votojmë kundër Haxhiut
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk do ta votojnë kandidaturën e Vetëvendosjes, deputeten Albulena Haxhiu, për pozitën e kryetare të Kuvendit.
Ai e ka përsëritur qëndrimin se do të votojnë kundër, ashtu si herët e kaluara.
Nga 61 vota sa nevojiten, të shtunën pro zgjedhjes së Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.
Kundër kanë votuar 20 deputetët e LDK-së, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e Nismës.
Ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.
Seanca për kryeparlamentarin, Fitore Pacolli: Na i kemi votat, veç duhet me votu edhe opozita
Deputetja e Vetëvendosjes, Fitore Pacolli pak para vazhdimit të seancës ku pritet votimi për kryeparlamentarin e Kosovës ka thënë se edhe partitë e tjera, ose “opozita”, siç iu ka referuar ajo, duhet të votojnë.
“Po presim me votu kryetarin e Kuvendit. Na i kemi votat, veç duhet me votu edhe opozita.”, tha Pacolli shkurt para mediave, teksa nuk e ndali hapin dhe vazhdoi për në hyrjen e Kuvendit.
Në ora 15:00 pritet vazhdimi i seancës, ku në rend dite është zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit.
Të shtunën Vetëvendosje propozoi emrin e Albulena Haxhiu për kryetare, por ajo nuk mori votat e mjaftueshme.
Sot përpjekja e katërt për konstituim të Kuvendit
Sot nga ora 15:00 do të mbahet vazhdimi i katërt i seancës konstituive të Kuvendit.
Lëvizja Vetëvendosje synon që edhe sot ta propozojë emrin e deputetes Albulena Haxhiu për kryeparlamentare. Haxhiu të shtunën dështoi i zgjidhej pasi mori vetëm 57 vota.
Ndërkohë tri përpjekjet e para për konstituim të Kuvendit kanë dështuar në pikën e parë të rendit të ditës, që ishte konfirmimi i mandateve të deputetëve.
Kundër këtij raporti të përpiluar nga Komisioni i përkohshëm, të martën e kaluar kanë votuar deputetët e PDK-së, ata të LDK-së dhe të AAK-së. Të enjten seanca është ndërprerë pa u trajtuar asnjë pikë e rendit të ditës, për shkak të mungesës së koordinimit mes grupeve parlamentare lidhur me mënyrën e vazhdimit të punimeve.
E të shtunën raporti ka kaluar me votat unanime të deputetëve. Kjo është mundësuar pasi kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i ka ftuar përfaqësuesit politikë për takim para seancës.
Pas miratimit të raportit deputetët kanë bërë betimet.
Kryesuesi Dehari e ka lexuar tekstin, ndërsa ligjvënësit janë betuar në fund, përveç atyre të Listës Serbe, të cilët kanë refuzuar të thërrasin “betohem”, për çka deputeti nga LVV-ja, Dimal Basha, ka kërkuar që as të mos u pranoheshin mandatet.
Bllokadë e re është krijuar pasi i ka ardhur rendi pikës së zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Ashtu siç i ka takuar me Kushtetutë, propozimin e ka bëri LVV-ja.
Nga 61 vota sa nevojiten, pro zgjedhjes së Haxhiut në këtë detyrë kanë votuar 57 deputetë, 48 të LVV-së dhe 9 të komuniteteve.
Kundër kanë votuar 20 deputetët e LDK-së, ndërsa kanë abstenuar 3 deputetët e Nismës.
Ndërkaq në votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, ata të Listës Serbe, Duda Balje dhe Adem Hoxha.