Dështoi zgjedhja e drejtorit të RTK-së
Anëtarët e Bordit te RTK-se kanë votuar kundër secilit kandidat për pozitën e Drejtorit te RTK-së.
Një rezultat i tillë ka ardhur për shkak të mungesës së bazës së qartë ligjore qe do te garantonte përfundimin e procesit. Rrjedhimisht, për të evituar shkeljet ligjore, Bordi i RTK-së e ka përmbyllur procesin e konkursit duke mos e votuar asnjë kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, duke mos paragjykuar profesionalizmin dhe vizionin e disa kandidateve për zhvillimin e RTK-se.
“Bordi i RTK-se sqaron opinionin publik se historikisht gjatë procedurave për konkurse publike, RTK i është referuar Udhëzimin Administrativ të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nr. 07/2017 për rregullimin e procedurave të konkursit në sektorin publik. I njëjti Udhëzim Administrativ është përdorur edhe në konkurset për drejtorët paraprakë të RTK-së. Në të njëjtën kohë, zyra ligjore e RTK-së i ka rekomanduar bordit se i njëjti proces mund të ndiqet edhe tani, pasi RTK-ja nuk ka dokument tjetër ligjor që mund ta përdorë për procedurën e konkursit për drejtor të përgjithshëm”, thuhet në një komunikatë për media.
Gjatë zhvillimit të procedurës së konkursit për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, bordi ka vërejtur që zbatimi i këtij udhëzimi në këtë proces është problematik sepse parasheh procedurë të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm, në shpërpushje me Ligjin për RTK-në.
Udhëzimi përcakton se vetëm tre anëtarë mund të jenë në komisionin vlerësues dhe vlerësimin final ia dërgojnë bordit për aprovim, ndërkaq Ligji për RTK-në e thotë qartë se Drejtori i RTK-së duhet të emërohet me 2/3 të votave të anëtarëve të bordit dhe përcakton qartë se anëtarët e bordit nuk duhet të ndikohen nga asnjë palë në vendimin e tyre, pra as nga një komision i tillë prej tre anëtarëve. Megjithatë, duke zbatuar dhe respektuar Ligjin për RTK-në, bordi ka vendosur që të gjithë anëtarët të jenë pjesë e komisionit të vlerësimit. Një praktikë e tillë ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Duke pasur si qëllim bazë kthimin e ligjshmërisë në RTK dhe respektimin e legjislacionit aktual, Bordi konsideron se nuk ka bazë të duhur ligjore e cila do të siguronte zgjedhjen e drejtorit në mënyrë të rregullt dhe pa çështje të kontestuara ligjore. Rrjedhimisht, Bordi në asnjë rrethanë nuk mund të zgjedh drejtorin e RTK-së duke mos respektuar procedurat ligjore ose duke mos i sqaruar ato në tërësi duke shmangur çdo paqartësi dhe duke siguruar transparencë dhe ligjshmëri të plotë.
Si përfundim i këtij procesi, Bordi nuk ka emëruar asnjërin nga pesë kandidatët për Drejtor të Përgjithshëm të RTK-së, pasi një emërim i tillë nuk siguronte qartësi të plotë procedurale dhe ligjore.
Deri në rishpalljen e konkursit dhe emërimin e drejtorit të ri, z. Shkumbin Ahmetxhekaj e ka besimin e plotë të bordit që të vazhdojë ushtrimin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së./21Media