MASHTI pa plan për integrimin e nxënësve nga Ukraina

Ditë më parë është raportuar se dy gra bashkë me tre fëmijë nga Ukraina kanë arritur në Kosovë. Portali rtv21.tv ka kontaktuar me Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), por e njëjta ka thënë se me çështjen e refugjatëve po merret kryeministria. Megjithatë, Qeveria e Kosovës nuk iu është përgjigjur pyetjeve të të rtv21.tv lidhur me të dhënat zyrtare se sa refugjatë ukrainas kanë ardhur deri më tani në Kosovë.
Për shkak të luftës ruse në Ukrainë, Institucionet e Kosovës kanë shprehur gatishmëri që të strehojnë deri në 5000 refugjatë ukrainas.
Mirëpo, si do të integrohen fëmijët ukrainas në shkollat e Kosovës, portali rtv21.tv ka kërkuar sqarim nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI). Por, zyrtarë nga kjo ministri kanë thënë se MASHTI ende nuk ka ndonjë plan.
MASHTI ka vlerësuar se ende është heret dhe se ky institucion nuk ka planifikuar si do të vazhdojnë shkollën nxënësit që vijnë nga Ukraina në Kosovë.
MASHTI i ka thënë portalit rtv21.tv se zyrtarisht asnjë nxënës apo familje ukrainase nuk ka kërkuar nga MASHTI apo drejtoritë e Arsimit për të vazhduar shkollimin në Kosovë.
Lufta në Ukrainë ka filluar më 24 shkurt dhe deri më tani rreth 3.5 milionë ukrainas janë detyruar të largohen prej vendit të tyre, duke kërkuar strehim nëpër vende të ndryshme evropiane./21Media

Back to top button