Dështoi zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit në Rahovec
Kuvendi Komunal i Rahovecit sot nuk ka arritur për të zgjedhur kryesuesin e kuvendit, pasi Lëvizja Vetëvendosje Partia Demokratike e Kosovës e kanë lëshuar seancën.
Fillimisht në emër të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për kryesues është propozuar Afrim Dina. Kurse, LDK, PDK dhe VV nuk kanë propozuar asnjë kandidatë.
Më pas, në emër të LDK-së, Burim Krasniqi ka thënë se kjo parti nuk do të qëndrojë deri në fund në sallë për ta zgjedhur kryesuesin, pasi nuk mund të funksionojë një asamble pa ndonjë marrëveshje me subjektet tjera.
“Tentohet të nënçmohet skajshmërish asambleja komunale. Nuk e di si mendohet me funksionu një asamble ku në seancën e parë është e ofenduar ku tentohet me zgjedh kryesuesin pa asnjë lloj marrëveshje me një parti politike apo çfarëdo formati që garanton numrin në asamble komunale”, ka thënë ai.
Ndërsa, kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka bërë të ditur se nuk është faj i tij që partitë tjera nuk propozojnë kandidatë. Ai ka thënë se opozita nuk duhet të bëjë punën e saj qysh në seancën e parë.
“Qudia më e madhe është pse nuk keni kandidat. Kjo është brengosëse për subjektet që nuk duan të propozojnë kandidatë të vet. Propozoni një dhe ja unë po iu ndihmojë, edhe ashtu keni mbajt plot takime të përbashkëta, është demokraci“, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, përfaqësues të VV-së dhe PDK-së e kanë lëshuar sallën e Kuvendit dhe seanca ka përfunduar në mungesë të kuorumit.