Dështon konstituimi i Kuvendit- S’ka vota për Muratin, Nagavcin dhe Bashën

(Lajm i përditësuar)
Gashi për votimin e Bashës: Ma kërkoi vet votën
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi pas votimit të deputetit të LVV-së, Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, tha se ia ka premtuar votën pasi që ia ka kërkuar Basha vet.
Gashi pas përfundimit të seancës, tha se përveç se ia ka kërkuar votën Basha, nuk ka një të kaluar që e pengon me bë punën e kuvendarit.
“Ma ka kërkuar votën dhe i kam premtuar se do ta votoj. Para disa muajve nuk e kam ditur se do të del në votim por i kam thënë kurdo që të qesin votën time e ke. Është një djalë simpatik dhe mendoj se duhet pak me mendua përtej, nuk është shumë polarizues i ka disa deklarata të forta përtej të arsyeshmes por në përgjithësi nuk ka një të kaluar që e pengon me bë një punë”, tha Gashi.
Murati thotë se opozita po e mban Kuvendin e bllokuar
Ministri në detyrë e Financave, Hekuran Murati, ka thënë se sot përfundimisht “ju hoq peta laknorit” duke u dëshmuar, sipas tij, se opozita po e mban Kuvendin e bllokuar.
Murati ka thënë se qëllimi që nga fillimi ka qenë të bllokohet Kuvendi, për shkak se sipas tij, nuk duan ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve.
“Të gjitha kanë qenë arsyetime për të zvarritur kohën. Është kohë e humbur për qytetarët, për institucionet dhe të gjithë. Ata po kërkojnë figurë uniteti, por uniteti duhet për presidentin, kryetarin e Kuvendit e zgjedh partia e parë fituese”, ka thënë ai.
Ka shtuar se qëllimi i këtyre partive është që rezultatin që nuk ua dha qytetari në zgjedhje, ta vjedhin në tavolinë “përmes vendimeve si ai i Kushtetueses”.
Mustafa: S’e votojmë askënd pa një marrëveshje paraprake
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa ka thënë se kanë treguar konsistencë në qëndrimet e tyre.
Ai ka thënë se nuk do të votojnë asnjë kandidat për kryetar të Kuvendit pa marrëveshje paraprake.
“E falënderoj Gërvallen për shpërfaqjen e saj të vërtetë. Unë në karrierën time nuk kam thënë asnjë koment të vetëm për të. Donika është Donikë”, ka thënë ai derisa është pyetur për komentet e ministres në detyrë, Donika Gërvalla, për të, pasi ai nuk e votoi për kryeparlamentare.
Berisha: Kemi kërkuar njerëz që dinë me thënë “mirëdita”
Pas dështimi të radhës në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, deputeti i AAK-së, Bekë Berisha tha se kanë kërkuar të propozohen kandidat që siç u shpreh ai, kanë qenë më njerëzor.
Berisha madje tha se duhet dikush që di të thotë “mirëdita”.
“Mos harroni që kemi thënë njerëz që edhe kanë qenë pak ma njerëzor, edhe që dinë me u vet, që di me të thënë “mirëdita” po”, u shpreh ai.
Krasniqi: PDK nuk e ka borxh të votojë çka t’i teket Kurtit
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se VV-ja nuk është e interesuar të konstituojë Kuvendin. Ndërsa PDK nuk e ka borxh me votu çka t’i teket Kurtit.
Sipas tij, VV-ja është e interesuar ta vazhdojë krizën.
Krasniqi ka shtuar se sot u tentua të vihet në provë deklarata e opozitës “që e votojnë dikë që nuk ka qenë ministër”.
Ai tutje ka thënë se deputeti Abelard Tahiri u mundua që të merren vesh për votim, por u injoruan sërish.
“Nuk na mundësuan një pauzë 10-minutëshe nga e cila do të mund ta votonim një kryetar Kuvendi, edhe nëse do të ishte Dimal Basha. Tek e fundit këta njerëz i ka Vetëvendosja. Shpresoj që pasnesër të mos ketë arrogancë të njëjtë Dehari, dhe nëse ka propozim që mund t’i marrë votat e PDK-së të na jap një pauzë 10-minutëshe”, tha ai.
Dështon konstituimi i Kuvendit
Sot, deputetët e Kuvendit të Kosovës u mblodhën në seancën e 57-të për të bërë një tjetër përpjekje për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Kjo ishte përpjekja e tretë pa sukses që nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton që kandidatët mund të hidhen në votim vetëm deri në tre herë dhe se votimi duhet të jetë i hapur.
Seanca e radhës është thirrur të mbahet më 26 gusht.
Murati, Nagavci dhe Basha s’arrijnë të zgjedhen në krye të Kuvendit
Seanca e sotshme për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, nisi me votimin për deputetin dhe ministrin në detyrë të financave, Hekuran Muratin, i cili përsëri nuk i morri votat për kryetar të Kuvendit.
Ai mori 55 vota, kundër 46 dhe 5 abstenime.
Pas dështimit, Murati propozoi ministren në detyrë të arsimit, Arbërie Nagavcin me arsyetimin që është ministre e jashtëzakonshme në fushën e arsimit.
“Meqë nuk ishte i suksesshëm votimi paraprak dhe tjera propozoj një kolege time nga kabineti qeveritar Arbërie Nagavci, ministre e jashtëzakonshme sa i përket reformave në fushën e arsimit e sidomos edukimit të hershëm të fëmijëve, ka zbatuar projekte të cilat kanë kryer punë dhe kanë ndërtuar çerdhe më shumë se të gjitha qeveritë tjera bashkë pasluftës. Nagavci është gjithashtu edhe përfaqësuese e këshillit të përgjithshëm në LVV ka edhe përvojën e duhur për të qenë zëri për bashkues”, tha Murati.
Por edhe pas këtij propozimi, me 55 vota për, 47 kundër dhe katër abstenime nuk kaloi as Arbërie Nagavci për kryetare të Kuvendit.
Nagavci propozoi deputetin e LVV-së, Dimal Bashën për kryetar kuvendi me arsyetimin se është i përgjegjshëm ndaj qytetarëve.
“Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve tashmë ka bërë katër propozime të katër deputetëve të ndryshëm për kryetar të Kuvendit, në tentimin e saj për të konstituuar këtë institucion. Meqenëse asnjëri nga ta nuk ka marrë besimin tuaj, propozoj një deputet të tre legjislaturave, i përgjegjshëm ndaj qytetarëve dhe në adresim të interesave të tyre, deputetin Dimal Basha”, tha Nagavci.
Edhe pse votat ishin më ndryshe se për të tjerët për Bashën, ai prapë nuk kaloi. Me 57 vota për, 25 kundër dhe 24 abstenime.
Për ishin edhe Bekë Berisha i AAK-së e Arben Gashi i LDK-së.
Për shkak të dështimit të radhës për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, seanca shtyhet më 26 gusht në ora 11:00.
Dështon edhe Dimal Basha nuk i merr votat për kryetar të Kuvendit
As Dimal Basha nuk i mori votat pë t’u zgjedhur në krye të Kuvendit.
VV e propozon Dimal Bashën
Dimal Basha propozohet për kryetar të Kuvendit
Në sallë janë 106 deputetë.
As Arbërie Nagavci nuk kalon
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Arbërie Nagavcin për kryetare të Kuvendit.
As ajo nuk i ka marrë votat për të qenë në krye të kësaj pozite.
Në sallë ishin 106 deputetë.
Arbërie Nagavci propozohet për kryetare të Kuvendit
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Arbërie Nagavcin për kryetare të Kuvendit.
Murati nuk i merr votat për kryetar të Kuvendit
Hekuran Murati sërish nuk i ka marrë votat për kryetar të Kuvendit.
Në sallë ishin 106 deputetë.
VV prapë propozon Hekuran Muratin për kryeparlamentar
Lëvizja Vetëvendosje për Kryetar Kuvendi përsëri ka propozuar Hekuran Muratin.
Nis seanca për konstituimin e Kuvendit
Ka nisur seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit.
Kjo seancë është duke u drejtuar nga deputeti më i vjetër në moshë, Avni Dehari dhe deputetja më re në moshë, Sala Jashari./21Media
Balje shpreson që në këto 30 ditë dikush do të lëshojë pe
Deputetja Duda Balje para seancës konstituive tha se ka shpresë që në këto 30 ditë dikush do të lëshojë pe.
Ajo gjithashtu u shpreh se qëndrimi i saj mbetët e njëjtë, sepse siç u shpreh, nuk ka gjetur mirëkuptim me Lëvizjen Vetëvendosje.
“Unë nuk e di çfarë plani ka Lëvizja Vetëvendosje, ata vet janë duke vendosur, zgjidhja ekziston, vetëm të propozohet një person i cili është i përshtatshëm edhe për opozitë. Unë kam shpresë që në këto 30 ditë dikush ka me leshu pe pak. Unë kam qëndrim i cili është i bazuar në respektimin e komunitetit të cilin unë e përfaqësojë këtu në Kuvend, nuk kemi gjetur një mirëkuptim me Lëvizjen Vetëvendosje dhe qëndrimi im është i njëjtë, unë nuk e ndryshojë qëndrimin”, u shpreh Balje.
Izmaku: Derisa kompromisi nuk shihet si vlerë, por si ligësi, s’kam shpresa për zgjidhje
Deputetja nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku ka folur para seancës konstituive.
Ajo u shpreh se derisa kompromisi nuk shihet si vlerë, por si ligësi, Izmaku tha se nuk ka shpresa për zgjidhje.
“Unë si deputete, derisa e shoh që ky lidership, duke përfshirë partinë e parë që doli fituese në këto zgjedhje, por edhe krerët e partive tjera politike, nuk e shohin kompromisin si një vlerë në demokraci, por e shohin si një ligësi, unë nuk kam shpresa më që do të ketë një zgjidhje”, u shpreh tutje ajo.
Brahimaj: Kurti ka për qëllim blerjen e kohës
Deputeti i AAK-së, Lahi Brahimaj, ka thënë se edhe sot Vetëvendosje do të propozojë emra që nuk votohen vetëm për të blerë kohë.
Sipas tij, qëllimi i Kurtit është blerja e kohës.
“Ne do të analizojmë por qasja e tyre do të jetë e tillë deri në fund. Cilido nga emrat që nuk janë në Qeveri ne do t’i votojmë”, ka thënë ai.
Haziri: S’ka vullnet politik, është bërë e neverishme
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për situatën në Kuvend, duke thënë se është bërë e neveritshme.
Ai u shpreh se është mungesë e një marrëveshje politike dhe e vullnetit politik për të konstituuar Kuvendin.
“Është mungesë e një marrëveshje politike, kjo dëshmon që është edhe mungesë e vullnetit politik për të konstituuar Kuvendin, tashmë është bërë tepër e gjatë dhe e neveritshme, krejt duan Kuvend, krejt njerëzit po presin që të kalohet te çështja e Qeverisë, sepse vendi edhe pa Qeveri edhe pa Kuvend po vazhdon me jetu”.
“Vendimet politike, vendimet që u takojnë politikanëve dhe njerëzve të zgjedhur nuk u takon me e delegu tek organet e tjera kushtetuese, duke përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese”, u shpreh tutje ai.
Çitaku për VV-në: S’duan bashkëpunim, kërkojnë nënshtrim nga deputetët
Sekretarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku para seancës konstituive tha se ka pasur një qasje të papërgjegjshme nga grupi i parë parlamentar.
Ajo tha se ata nuk duan bashkëpunim, por sipas saj, kërkojnë nënshtrim nga deputetët.
“Fatkeqësisht kemi pasur një qasje tërësisht të papërgjegjshme nga grupi i parë parlamentar. Është tashmë shumë evidente që ata nuk duan bashkëpunim, nuk duan bashkërendim, nuk duan kompromis, kërkojnë nënshtrim nga deputetët e Parlamentit të Kosovës”, u shpreh tutje ajo.
Avdyli: PDK-ja s’mund të na caktojë emrin për kryeparlamentar
Deputeti Haxhi Avdyli ka thënë se kryetar i parlamentit bëhet një figurë politike me përkrahje të madhe.
Avdyli para mediave ka thënë se ata po propozojnë njerëz që kanë legjitimitet qytetar.
“Ne nuk mundemi të biem pre e kërkesave të PDK-së. Ata nuk e kanë mundësinë që të na caktojnë emrin”, ka thënë ai.
Sipas tij, Kuvendi është shtëpi e të gjitha partive.
“As nuk e kemi në plan të kërkojmë përkrahje për Qeverinë. Ta formojmë Kuvendin, e pastaj ai që i ka numrat ta formojë Qeverinë. Kjo opozitë është adhuruese sekrete e Albin Kurtit”, ka thënë ai.
Sot seanca e radhës, kush do të ia mësyjë karrigës së kryekuvendarit
Deputetët do të mblidhen sërish sot me fillim nga ora 11:00, në tentimin e radhës për ta konstituar legjislaturën e nëntë.
Kjo është seanca e tretë radhazi pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, e ku Lëvizja Vetëvendosje akoma s’ka arritur ta zgjedh kryetarin apo kryetaren e re.
Pas këtij aktgjykimi, i cili i ka obliguar deputetët që ta konstituojnë kuvendin brenda 30 ditësh, VV-ja herën e parë e pati propozuar Albulena Haxhiun për kryetare kuvendi, e cila i mori vetëm 57 vota.
Menjëherë pas dështimit për ta zgjedhur këtë të fundit kryetare, VV-ja provoi me Donika Gërvallën.
Në votim ra në sy Shqipe Mehmeti-Selimi, e cila nuk mori fare pjesë në votim për Gërvallën.
Shkak tha se ishin dy statuse të Gërvallës të vitit 2020, në të cilat ajo e akuzonte bashkëshortin e Shqipes, Rexhep Selimin si njeri të botës së krimit.
Ndërsa, në seancën e së premtes, Lëvizja Vetëvendosje tentoi me ministrin në detyrë të Financave, Hekuran Muratin, por që edhe ai i mori vetëm 57 vota.
Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?