Dështon mbledhja e Kryesisë

Mbledhja e sotme e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish edhe këtë të hënë. Në këtë mbledhje nuk morën pjesë përfaqësuesit e mazhorancës dhe kështu u pamundësua që të caktohet seanca plenare për këtë të enjte.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për dështim të mbledhjes së Kryesisë por edhe seancave të Kuvendit.

Sipas tij, bllokimi i agjendës legjislative është i dëmshëm për Kosovën.

“Nuk arrit të mbahet, nuk ishin përpos kryetarit të kuvendit, nuk ishin as përfaqësuesit e mazhorancës të shumicës së Lëvizjes Vetëvendosje. Ishte dështimi i radhës së mbledhjes së Kryesisë. Kjo mazhorancë nuk po arrin me pas shumicën as në Kryesi dhe as në seancat parlamentare të Kuvendit të Kosovës, të cilat kanë dështuar tash e një kohë të gjatë. Bllokimi dhe dështimi i agjendës parlamentare është jashtëzakonisht i dëmshëm për Republikën e Kosovës. Ne si opozitë normalisht nuk mund ta përbëjmë shumicën, jemi pakica në atë Kuvend, megjithatë kemi luajtur një rol shumë konstruktiv, kemi luajtur rol jashtëzakonisht të rëndësishëm”, tha ai.

Sa i takon ligjit për pagën minimale, i cili nga muaji prill i vitit të kaluar ndodhet në Kuvendin e Kosovës, deputeti Tahiri u shpreh se ky projektligj po zvarritet nga mazhoranca.

Ai tha se nëse votohen amendamentet e propozuara nga PDK për këtë projektligj, do ta votojnë në të kundërtën vota e tyre do të jetë kundër.

“Ne e kemi kundërshtuar si nismë sepse nuk mund të përcaktohet paga minimale duke u përjashtuar Këshilli Social, duke u përjashtuar sindikata një propozim i ri që të kjo të bëhet vetëm nga ministri i Financave. Mendoj që është shumë e dëmshme për një demokraci si Kosova. E dyta e dini që janë përjashtuar disa kategori mjaftë të ndjeshme siç janë kategoria e veteranëve të luftës, pensionet e paraplegjikëve dhe tetraplegjikëve dhe ne e kemi kundërshtuar në vazhdimësi dhe besoj që do të reflektoj ky pushtet dhe kjo mazhorancë dhe në momentin që do të vije në votim në seancën e radhës kurdo që do të mbahet kjo…Ligji është në Kuvendin e Kosovës është në procedurë, por kjo procedurë është zvarritur nga LVV që nuk ka asnjë arsye të vetme këta duhet me pas të qartë ose të vazhdojnë me procedurën parlamentare të miratohet ky ligj ose ta tërheqë është jashtëzakonisht i dëmshëm, dëmton kategori jashtëzakonisht të ndjeshme….Fillimisht duhet të votohen amandamentet tona dhe nëse amendamente kalojnë me votën e shumicës e deputetëve, atëherë normalisht që do ta votojmë ligjin në tërësi, nëse përjashtohen këto kategori dhe rrezohen amendamentet tona me votën e LVV, normalisht që nuk do ta votojmë”, theksoi ai.

Shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Abelard Tahiri theksoi se në mungesë të kuorumit nuk arritën ta caktojnë seancën e re dhe interpelancën për kryeministrin Kurti të thirrur nga PDK, lidhur me mos shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai shtoi se këtë të enjte seanca do të jetë me pikat e papërfunduara nga seanca e së enjtes së kaluar.

“Kryetari i PDK-së ka shtuar një kërkesë për interpelancë me kryeministrin e Kosovës që ta ftoj kryeministrin dhe ta kemi një interpelancë për të që është për mos shkarkimin e Martin Berishaj…..Nuk arritëm me caktuar seancë meqenëse nuk kishte kuorum, kjo do të duhej të caktohej seanca në ditën e enjte dhe kjo interpelancë të vihej në rend dite, por meqenëse nuk kishte kuorum vendosëm që ditën e enjte t’i kemi vazhdimet e seancës ku do të vazhdoj ato ku ka mbetur ditën e enjte”, theksoi Tahiri.

Ndërsa, sa i takon mungesës së pajisjeve për votim elektronik në Kuvend të Kosovës, deputeti i PDK-s, Abelard Tahiri e konsideroi skandal i cili po i konvenon partisë në pushtet.

Sipas tij, tash e dy vite e gjysmë sa është LVV në pushtet, nuk është bërë asnjë investim për rregullimin e këtyre pajisjeve.

Back to top button