Dështon seanca e Kuvendit, shkak mungesa e kuorumit

(Lajm i përditësuar)

Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi Kosovës, sot dështoi të zhvillojë seancën, në të cilën ishte paraparë shqyrtimi dhe votimi i disa pikave të mbetura nga seancat e kaluara.
Deputetët e partive opozitare lëshuan sallën në shenjë kundërshtimi për vlerën e koeficientit në ligjin e pagave, për të cilën qeveria bëri të ditur sot se do të jetë 105 euro.
Pas daljes së deputetëve opozitar, kryetari i Kuvendit konstatoi se nuk ka kuorum për mbajtjen e kësaj seance.
“Nuk e kemi kuorumin e mjaftueshëm kështu që vazhdojmë nesër në seancën e rregullt”, u shpreh kryetari i Kuvendit.
Opozita lëshon seancën në shenjë kundërshtimi për koeficientin
Në seancën e sotme të Kuvendit kanë vendosur të mos marrin pjesë edhe deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kjo në shenjë kundërshtimi për caktimin e vlerës së koeficientit që është bërë e ditur sot nga qeveria e Kosovës.
Shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi ka thënë se koeficienti për pagat nuk adreson as për së afërmi inflacionin, i cili i ka goditur qytetarët e Kosovës.
“Është ditë dhe është pritë që kjo qeveri që glorifikon krimin ndaj shqiptarëve, që mbron korrupsionin e Martin Berishajt dhe shumë të tjerëve, që rrit tatimin ndaj qytetarëve të Kosovës, dhe nuk merr asnjë masë që të lehtësoje jetën e qytetarëve të Kosovës, nuk mund të presësh të ketë zgjidhej për pagat në sektorin e publik. Pra, koeficienti i pagave as për së afërmi nuk adreson çështjen e inflacionit, i cili ka ndodh në këto dy vite, ku jeta e qytetarëve të varfër të Kosovës është bërë ferr. Të paktën është dashur të adresojë inflacionin, i cili për produktet bazë ka arrit rreth 80%. Në këto rrethana mendoj që nuk është normale të fillojë kështu seanca dhe ne të bëhemi sikur gjithçka është normale dhe mund të vazhdojmë. Ne nuk mendojmë që duhet të vazhdojë kjo seancë dhe mos na konsideroni si pjesë të kuorumit për të filluar seanca”, ka thënë Gashi.
PDK lëshon sallën e Kuvendit për shkak të koeficientit
Deputetët e PDK-së kanë lëshuar sallën e Kuvendit, në shenjë revolte për koeficientin në vlerë 105.
Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, tha se shprehin zhgënjimin e tyre për këtë koeficient, për të cilin tha se është një koeficient i mjerimit dhe se sipas tij, demotivon të gjithë të rinjtë e të rejat që duan të jenë pjesë e administratës.
“Si grup parlamentar kërkojmë nga qeveria e Kosovës që ta rishqyrtojë edhe njëherë këtë çështje, sepse e thellon edhe më shumë krizën tonë”, tha Tahiri.
Pasi konfirmuan largimin e tyre, Konjufca kërkoi që ata të mos i marrin mëditjet, për çka Tahiri pranoi.
Kuvendi i Kosovës mblidhet sot
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për seancë plenare.
Seanca do të vazhdojë me pikat e papërfunduara nga viti i kaluar, ku janë 29 të tilla.
Mbledhja e Kuvendit është paralajmëruar të nisë nga ora 12:00.
Rendi i ditës:
I. Pika e papërfunduar nga Seanca plenare, e mbajtur më 7, 24 tetor dhe 18 nëntor 2022 dhe 18 janar 2023:
10. Votimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.
II. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 10, 24 nëntor, 8 dhe 15 dhjetor 2022:
15. Shqyrtimi i kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për caktimin e taksave vjetore për vitin 2023,
16. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për vitin 2021,
17. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës për vitin 2021,
18. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës për vitin 2021,
20. Shqyrtimi i rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Telekomit të Kosovës për vitin 2021.
III. Pikat e papërfunduara nga Seanca plenare, e mbajtur më 9 dhjetor 2022:
9. Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-180 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit Nr. 06/L-048 për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës,
10. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-176 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përmbajnë procedura të veçanta administrative dhe harmonizimin e tyre me Ligjin nr. 05/L-031 për procedurën e përgjithshme administrative,
11. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-192 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-034 për Mbrojtjen e Konsumatorit,
12. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-182 për Konfliktet Administrative,
13. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-191 për Ekspertët Gjyqësor,
14. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-194 për Sistemin Qendror të Evidencës Penale të Kosovës,
15. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-186 për Rregullat e Trafikut Rrugor,
16. Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë,
17. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Akademisë së Drejtësisë për vitin 2021,
18. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Organit Shqyrtues të Prokurimit për vitin 2021,
19. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Rregullator të Prokurimit Publik për vitin 2021,
20. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2021,
21. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore për vitin 2021,
22. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Statistikave të Kosovës për vitin 2021,
23. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-021 për kontrollin e brendshëm të financave publike,
24. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr.06/L-087 për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë,
25. Shqyrtimi i Planit Kombëtar të Radio-frekuencave,
26. Formimi i Komisionit Ah-hoc për përzgjedhjen e një (1) anëtari të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti shqiptar,
27. Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave,
28. Zgjedhja e një (1) anëtari të Bordit për Ankesa të Mediave,
29. Zgjedhja e një (1) zëvendësi të Avokatit të Popullit nga radhët e komuniteteve që nuk janë shumicë në Kosovë.

Back to top button