Dështon seanca ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit

Ka dështuar të mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Deri te kjo erdhi si pasojë e disa problemeve me dërgesa të ftesave në mënyrë të rregullt për dëshmitarët.
Përndryshe sot ishte paraparë që të dëgjoheshin dy dëshmitarë.
Sipas aktakuzës, Marko Roshiq, Silvana Arsoviq, Nedelko Spasojeviq, Rade Basara, po akuzohen se si grup kriminal të udhëhequr nga Millan Radoiçiq dhe Zvonko Veselinoviq, kishin kontribuar në forma të ndryshme në vrasjen e Oliver Ivanoviqit.
Millan Radoiçiq ishte vënë në kërkim ndërkombëtar nga Gjykata pas kërkesës së ish-prokurorit special Sylë Hoxha. Ky urdhër ishte tërhequr më vonë ndërsa për këtë pati reagime edhe nga ish prokurori Hoxha. Pas heqjes së fletarrestit, Radoiçiq ishte futur në Kosovë, por Policia e Kosovës nuk kishte arritur ta arrestonte.
Prokurori i tanishëm i rastit, Burim Çerkini, pati thënë se Millan Radoiçiq është pjesë hetimeve, porse për të nuk ka aktakuzë.
Në këtë rast akuzohen edhe dy zyrtarë policorë, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq, të cilët sipas Prokurorisë kishin manipuluar me prova të rastit.
Sipas aktakuzës, secili nga të lartcekurit në ditën kritike kanë kryer veprime konkrete, të cilat kanë dërguar deri te vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq./kallxo

Back to top button