Dështon sërish konstituimi i Kuvendit

(Lajm i përditësuar)
Haxhiu: Jemi të gatshëm të ofrojmë zgjidhje, por duhen konsultime
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se është e domosdoshme që të zhvillohen konsultime për të gjetur një zgjidhje lidhur me bllokimin e procesit të konstituimit në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur pas ndërprerjes së seancës nga kryesuesi të enjten, Haxhiu theksoi se mungesa e konsensusit në takimin konsultativ ka penguar përparimin e procesit.
“Letra që presidentja i ka drejtuar kryesuesit kërkon të gjendet zgjidhje për të mos u bllokuar konstituimi, dhe për ta gjetur këtë zgjidhje duhen konsultime. Pa konsultime, s’mund të ketë zgjidhje”, ka thënë ajo.
Sipas Haxhiut, Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme të kontribuojë në çdo zgjidhje të mundshme.
“Si parti politike, duam ta korrigjojmë vendimin e gabuar të Kuvendit. Kemi vullnet që ai gabim të korrigjohet, por duhet të shohim se cila është mënyra më e përshtatshme,” ka thënë ajo, duke shtuar se një situatë e tillë nuk është e paraparë as në Rregulloren e Kuvendit, as në Kushtetutë apo në ndonjë ligj tjetër.
Ajo nënvizoi se deputetët e VV-së janë të gatshëm të kryejnë detyrat e tyre dhe të ofrojnë zgjidhje, duke lënë të hapur mundësinë që raportin ta hartojë ose komisioni ekzistues ose ndonjë komision i ri, “por mund të ketë edhe propozime të tjera”.
Krasniqi: VV s’kanë shumicë parlamentare, po dojnë me ble kohë
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi pas dështimit të seancës konstituive tha se sot ka pasur uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve.
Krasniqi tutje ftuar të gjithë që mos ta mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës, afatet kushtetuese, por le të vinë në seancë e të votojnë.
”Qytetarët sot u bën dëshmitarë të faktit që Partia që ka dalë e para dhe ish pushteti e uzurpun një drejtë kushtetuese që u është dhënë përmes deputetit më të vjetër, për me pengu rrjedhën e seancës. Mund tJu them që këta në mënyrë të organizuar kanë ardhur me pengu seancën. Sot ka pasur uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve. Në vend të zbatohet skenari i seancës, të hudhet votim raporti, por u keqpërdor kjo e drejtë që i takon deputetit më të vjetër, për me arrit qëllime partiake politike. Këta jo që skanë shumicë, por sjanë as afër shumicës. I ftoj mos ta mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës, afatet kushtetuese, por le të vinë në seancë e të votojnë. Smunden me u sjell me këtë shpërfillje ndaj vullnetit qytetar”, tha Krasniqi. /21Media
Abdixhiku: Kryesuesi ndërpreu seancën pa të drejtë, edhe pse kishte kuorum
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, e ndërpreu seancën pa të drejtë dhe kundër Rregullores së Kuvendit.
Sipas Abdixhikut, seanca nuk duhej ndërprerë pasi kishte kuorum të mjaftueshëm për votim dhe duhej të vazhdohej me pikën e parë të rendit të ditës, miratimin e Raportit për Verifikimin e Mandateve.
“Qytetarët e kanë shumë qartë kush janë bllokuesit e vërtetë. Kryesuesi që rastis të jetë më i vjetri në moshë, rastisi të jetë nga partia e parë, veproi kundër Rregullores së Kuvendit, kundër praktikës kushtetuese, pa të drejtë ndërpriti seancën e sotme ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm, ndonëse kishte kushte për votimin… Është për keqardhje kjo praktikë bllokuese për institucionin më të lartë. Kjo është shkelje e rëndë, praktikë e rëndë, është sjellje e mbrapshtë politike”, u shpreh kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i LDK-së ka thënë se do të mblidhen pas 48 orëve dhe do t’i shprehin në Kuvend këto shkelje.
Seanca konstituive dështoi për të dytën herë. Të enjten, kryesuesi Avni Dehari ndërpreu seancën. Kuvendi do të mblidhet të shtunën.
Dështon sërish konstituimi i Kuvendit
Ka dështuar për të dytën herë konstituimi i Kuvendit të Kosovës.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ka thënë se në takim me përfaqësuesit e partive nuk pati konsensus. Ndërkaq, seancën e radhës e ka paralajmëruar për të shtunën në orën 12:00.
“Pati përfaqësues që i braktisën takimin. Nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve në orën 12:00, 19 prill. Me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”.
I pyetur nga gazetarët nëse do të votojë për Kryeparlamentarin “nëse arrihet deri aty”, Berisha tha se ai nuk bllokon procese.
“Kam dëshmuar që nuk bllokojë procese”.
“Unë do t’i votojë, deri te Kryetari i Kuvendit këtu jam, pastaj…”, tha shkurtimisht Berisha para gazetarëve.
Vazhdimi i seancës konstituive, Kurti nuk është i pranishëm
Në seancën konstituive të Kuvendit janë 118 deputetë të pranishëm.
Në seancë është duke munguar kryetari i VV-së, Albin Kurti, për të cilin nuk dihet ende se pse nuk po merr pjesë.
Bajrami kundër vendimit të Deharit, “Ai s’ka mandat të zhvillojë konsulta”
Deputetja nga radhët e LDK-së, Hykmete Bajrami, është deklaruar për media për vendimin e Avni Deharit, pasi ky i fundit ftoi përfaqësuesit e partive politike për konsultime lidhur me atë se si të vazhdohet më tij.
Bajrami, u shprehë se Dehari nuk ka mandat të zhvillojë konsulta.
”Thjeshtë është një raport, është si kryesues seancës konstituive dhe janë krejtë procedural. Ai nuk ka një mandat të tillë të zhvillojë konsulta të tilla dhe dolëm prej takimit”, është shprehur Bajrami.
Haxhiu: Opozita përgjegjëse për bllokimin e konstituimit të Kuvendit
Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka akuzuar partitë opozitare për bllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, duke deklaruar se pengesat vijnë nga kërkesat dhe veprimet e tyre në kundërshtim me Rregulloren e Punës së Kuvendit.
Para gazetarëve Haxhiu ka thënë se Rregullorja nuk lejon debat gjatë seancës konstituive, dhe për këtë arsye nuk mund të ketë diskutime mes partive politike brenda saj, duke iu përgjigjur LDK-së e cila pretendon se ftesa e kryesuesit Avni Dehari për konsultë gjatë seancë konstituive është jashtë procedurave.
Sipas Haxhiut qëndrimi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila kërkoi sërish dorëheqjen e ministrave në detyrë ishte befasi. Ajo sqaroi se dorëheqjet janë dhënë para mbajtjes së seancës konstituive të martën dhe se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është njoftuar për këtë para certifikimit të rezultateve.
Kica-Xhelili: Dehari s’ka të drejtë të ftojë për konsultime përfaqësuesit e partive
Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, tha se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, s’ka të drejtë që të ftojë akterët për konsultime politike.
Ajo tha ose Dehari duhet të kërkojë formimin e sërishëm të Komisionit për verifikimin e mandatave dhe kuorumit, ose të rivendosë në votim raportin e komisionit.
“LDK do të jenë në takim nuk e ka mandatin që të ftojë partitë politike në konsultime në këtë fazë”, tha ajo, duke shtuar se partia nuk ka hequr dorë nga kërkesa që anëtarët e Qeverisë të japin dorëheqje para se të bëjnë betmin si deputetë.
Kadrijaj e AAK-së: Seanca duhet të vazhdojë ku ka mbet, jo të formohet sërish Komisioni Ad hoc
Time Kadrijaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në një deklaratë para mediave tha se seanca duhet të vazhdojë ku ka mbetur dhe jo të formohet sërish Komision Ad hoc.
“… ka qenë një komision Ad hoc që e ka kryer punën e tij, raporti është sjell në Kuvend, është deshtë me vazhdu ku ka mbet procesi… “, tha ajo.
“Të mos bëjmë shkelje ligjore e procedurale”, në nisje të seancës Dehari i fton partitë politike për konsultë
Ka nisur seanca konstituive e Kuvendit, e ndërprerë më 15 prill për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Seanca është duke u kryesuar nga deputeti më i vjetër i Kuvendit, Avni Dehari.
Dehari i ka ftuar përfaqësuesit e partive politike që të dalin dhe të konsultohen para nisjes së seancës, siç tha ai që të mos bëjnë ndonjë shkelje procedurale. Pastaj shohim se si do të procedojmë tutje.
“Si drejtues i seancës i jam drejtuar me një letër Presidentes Osmani. Letra ka dhënë sqarime në një aspekt por nuk ka dhënë një zgjidhje përfundimtare dhe kërkon nga ne deputetët që të gjejmë vullnet ta zhbllokojmë seancës. Për këtë arsye kam nevojë së që b ashku t’i thërras përfaqësuesit e partive politike se si të procedojmë tutje”, tha Dehari.
Fillon seanca konstituive
Me 30 minuta vonesë ka filluar seanca konstituvie e Kuvendit të Kosovë.
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër i shoqëruar nga deputetja më e re.
Dehari bëri të ditur se në seancë janë 118 pjesëmarrës.
Rashiq: Partia me më së shumti vota të jetë bartëse e përgjegjësisë
Deputeti i zgjedhur, Nenad Rashiq, para mediave ditën e sotme deklaroi se është normale që partia me më së shumti vota të jetë bartëse e përgjegjësisë.
“E kam thënë edhe më herët, nuk kam çka tjetër të shtoj. Kam thënë se kam biseduar me kryeministrin dy herë dhe sa i përket meje e ritheksoj se është një gjë më normale që partia më së shumti vota që jetë bartëse e përgjegjësisë. Çdo herë duhet të mendojmë për konstituimin duhet të themi se një parti që ka gjysmën e deputetëve shqiptarë, janë 48, po sigurt e bën”, theksoi Rashiq.
Deputetët e zgjedhur të Partisë Demokratike të Kosovës janë mbledhur para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit. Ata kanë deklaruar se aty do të vendosin se si do të veprojnë tutje.
Nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj tha se qëndrimin e tyre do ta marrin para se të hynë në seancë.
“Ka edhe gjysmë ore kohë po presim por qëndrimin e marrim kur të jemi para se me hy në seancë”, tha ai.
Edhe Ariana Musliu-Shoshi dhe Elmi Reçica thanë se tha se vendimin do ta marrin në takim.
“Tani e kemi takimin me gripin parlamentar dhe do ta kemi një vendim final. Ende nuk jemi taku e kemi takimin dhe do ta marrim vendimin”, tha Musliu Shoshi.
“Do ta marrim një qëndrim në grup parlamentarë e kemi një takim para seancës”, tha Reçica
Deputetët e zgjedhur do të mblidhen edhe sot më 17 prill për të vazhduar seancën konstituive.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari i dërgoi letër presidentes më 16 prill përmes së cilës i kërkoi sugjerime për veprime tutje.
Presidentja kujtoi rregulloren e Kuvendit dhe tha se seanca duhet të vazhdojë brenda 48 orësh.
Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.
Deri më tash, LVV-ja si parti fituese nuk e ka bërë të ditur emrin që do ta propozojë për kryetar të Kuvendit dhe as nëse i ka numrat për ta votuar atë.
Limaj nuk tregon si do të votojë: Kuvendi duhet të konstituohet
Kreu i Nismës, Fatmir Limaj nuk ka treguar nëse do votojnë kandidatin që Vetëvendosje pritet ta propozojë për kryeparlamentar, në seancën e sotme konstituive të Kuvendit.
Limaj para mediave ka thënë se Kuvendi duhet të konstituohet sipas procedurave.
“Duhet të konstituohet kuvendi sipas procedurave, besoj që kjo është ajo që e presin qytetarët e Kosovës”, tha Limaj shkurt.
Seanca ende nuk ka nisur, ndonëse ishte paralajmëruar për në ora 12:00.
Gërvalla nuk tregon nëse i kanë numrat: Jemi optimistë, të shohim nëse opozita s’do e bllokojë procesin
Gërvalla tha se gjithçka do të varet nga vullneti i opozitës. Ajo para mediave u shpreh se se mbetet të shihet nëse opozita do të jetë në gjendje të ndjekë procedurën e seancës së sotme.
“Pak minuta ju bie të prisni, por e gjitha do të varet nga vullneti i opozitës. Presidentja dje ju tregoi se seanca konstituive nuk bëhet për të bllokuar por në sensin e ç’bllokimit. Jemi shumë optimistë e të gëzuar që sot vazhdojmë këtë seancë”, tha Gërvalla para mediave.
Seanca konstituive e Kuvendit ka dështuar të martën, pasi raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve nuk mori votat e mjaftueshme të deputetëve.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, ndërpreu punimet.
Në këtë seancë duhej që deputetët, pas miratimit të raportit, të bënin betimin dhe të zgjidhinin kryetarin dhe nënkryetarët.
Abdixhiku: Se votojmë as sot raportin
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se qëndrimi i tyre s’ka ndryshuar dhe se nuk do ta votojnë as sot Raportin për Verifikimin e mandateve të deputetëve. Ai ka kërkuar dorëheqjet së pari.
Ai ka thënë se nëse votojnë, do ta shkelnin Kushtetutën.
“Nuk mund të votojmë një shkelje të rëndë kushtetuese në ceremoninë e betimit të deputetëve. Është e palogjikshme, është jo demokratike, është jo kushtetuese. Qëndrimet e LDK’së jo vetëm që janë të menduara mirë, por edhe janë në frymë të mbrojtjes së demokracisë dhe kushtetuës”, ka deklaruar Abdixhiku para gazetarëve.
Deputetja e LVV-së, Arbëresha Kryeziu për RTV21 tha se VV nuk mund të funksionojë siç po kërkon opozita.
Sipas saj nëse, VV do e dëgjonte opozitën, Kurti nuk do të garonte në zgjedhjet e fundit parlamentare dhe VV nuk do të ekzistonte si parti politike.
”Ne nuk mund të funksionojmë siç po kërkon opozita, sepse nëse do ta degjonim opozitën Kurti nuk do të garonte në zgjedhjet efundit parlamentare dhe VV nuk do të akzistonte si parti. Ne i kemi bërë të gjitha procedurat e nevosjhme, kryeministri e ministrat kanë dhënë dorëheqjet para seancës, KQZ është njofutar me kohë‘‘, tha Kryeziu.
Ajo tutje tha ‘‘Partitë opozitare po e mbajnë të mbyllur kuvendin për tash e 48 orë, sot janë bërë bashkë dhe po e bllokojnë punën e kuvendit, është jashtë çdo logjike të mundshme‘‘./RTV21/Media
Para seancës, Haradinaj: Shpresoj që do të zgjidhet çështja e dorëheqjeve
Kryetar i AAK-së, Ramush Haradinaj në një deklaratë për media para fiillimit të seancës së konsitutimit të Kuvendit, tha se shpreson që çështja e dorëheqjeve do të zgjidhet sot.
Ai u shpreh se Aleanca mbështet plotësisht konstituimin e Kuvendit dhe vazhdimin e punës së tij në funksion të qytetarëve.
‘‘Shpresoj që do të zgjedhet çështja e dorëhëqjeve, dhe ne të vazhdojmë. Si Aleancë e mbeshttim konstituimin e Kuvendit‘‘, tha Haradinaj
Sot vazhdon seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës
Sot në ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.
LDK, PDK dhe AAK, kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Dje presidentja Vjosa Osmani në përgjigjen institucionale ndaj letrës së djeshme konstituive për institucionet e reja të vendit, ka theksuar se deputetët duhet të themelojnë dhe jo të bllokojnë proceset.