Detaje nga takimi i Kurtit me Lajçakun, u fol edhe për zgjedhjet që u mbajtën në veri

(Lajm i përditësuar)
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka thënë të premten emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, se Marrëveshja Bazike në mes të dyja shteteve duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit, Kurti u takua me Lajçakun në Delphi në kuadër të Forumit Ekonomik. Në këtë takim, Kurti e Lajçaku kanë diskutuar për takimin e 2 majit në Bruksel, ku pritet të nënshkruhet marrëveshja për të zhdukurit me dhunë dhe të prezantohet drafti i parë i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në njoftim theksohet se ata kanë folur edhe për zgjedhjet e fundit në veri të Kosovës.
“Kryeministri Kurti, theksoi se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet e plotë, pa vonesa dhe pa kushtëzime. Në takim u fol edhe për zgjedhjet që u mbajtën në fundjavën e kaluar në katër komunat veriore të Kosovës dhe për rëndësinë e sigurimit të funksionimit normal të institucioneve shtetërore në shërbim të qytetarëve”, thuhet në njoftim të Zyrës së Kryeministrit.
Kurti u takua me Lajçak: Marrëveshja Themelore duhet të zbatohet plotësisht, pa vonesa
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar sot takim me emisarin special të BE-së, Miroslav Lajcak me të cilin kanë biseduar rreth takimit të 2 majit.
Kurti përmes një postimi në Twitter ka thënë se Marrëveshja Themelore duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt, pa parakushte dhe pa vonesa.
“Diskutuam takimin e ardhshëm në Bruksel dhe zgjedhjet e fundit lokale në katër komunat tona në veri me Miroslav Lajcak në Forumin e Delphit. Marrëveshja Themelore duhet të zbatohet plotësisht dhe shpejt. Asnjë parakusht dhe pa vonesa”, ka shkruar kryeministri Albin Kurti.
Discussed upcoming meeting in Brussels & recent local elections in our four municipalities in the north with @MiroslavLajcak @delphi_forum.
The Basic Agreement must be implemented fully & swiftly. No preconditions and no delays. pic.twitter.com/SLalhKR8l1— Albin Kurti (@albinkurti) April 28, 2023
Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, konfirmoi se në takimin e ri të nivelit të lartë të dialogut mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në rend dite do të jetë miratimi i Deklaratës për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe./21Media