Detaje nga vizita e Kurtit në Estoni

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur pë vizitën e tij dyditore në Estoni.
Vizitën zyrtare në Estoni kryeministri e ka nisur me homologen e tij, Kaja Kallas, me të cilën ndër të tjera kanë biseduar edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Shpreha mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Estonia i jep Kosovës dhe gatishmërinë për thellim të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar. Kryeministrja Kallas ofroi mbështetjen e plotë për Kosovën në rrugën tonë euroatlantike dhe në procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët tanë”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Kurse për takimin me Ministrin e Punëve të Jashtme të Estonisë, Urmas Reinsalu, Kurti tha se kanë theksuar ngjashmëritë e përvojave historike dhe situatave gjeostrategjike të Kosovës dhe Estonisë.
“Falënderova ministrin Reinsalu për mbështetjen e Estonisë ndaj Kosovës në politikën e jashtme”.
Kreu i ekzekutivit ka vizituar edhe Akademinë Estoneze për Qeverisje Elektronike (eGA), ku është takuar me Drejtorin Ekzekutiv, Hannes Astok, e në e-Estonia Briefing Centre, është pritur nga Menaxherja e përgjithshme, Ave Lauringson.
Gjithashtu, ka shtuar se fushat e bashkëpunimit që forcojnë marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve ishin tema e takimeve të ndara në Parlamentin e Republikës së Estonisë, Riigikogu, me Kryetarin e Parlamentit të Republikës së Estonisë, Jüri Ratas dhe Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit, Andres Sutt.
“Avancimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, me theks te qeverisja digjitale dhe qëndrimet e dy qeverive mbi zhvillimet dhe sigurinë në kontinentin e Evropës, ishin pjesë qendrore e diskutimeve në takimet që patëm bashkë me Zëvendëskryeministren e Republikës së Kosovës, Emilija Rexhepi, Ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ambasadoren jo rezidente të Kosovës në Estoni, Shkëndije Geci-Sherifi dhe këshilltarin tim, Lulëzon Jagxhiu”, ka shkruar Kurti në Facebook./21Media

Back to top button