Escobar: Pas qeverive, plani franko-gjerman edhe për publikun

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë plotësisht të përfshira në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Zëvendës Ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit dhe i dërguari i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, deklaroi se tërheqja e serbëve të Kosovës nga institucionet e Kosovës, nuk është zgjidhje për mosmarrëveshjet aktuale dhe është potencial për të përshkallëzuar më tej tensionet në terren.
Ai ka thënë se progresi në dialogun Kosovë-Serbi është shumë i rëndësishëm për gjithë stabilitetin rajonal dhe këtë e ka shpjeguar në kontekstin e luftës në Ukrainë.
Më tej, ai ka thënë se janë duke u diskutuar detajet e propozimit dhe se pas këtij diskutimi duhet një përfshirje më e madhe e publiku.
“Progresi drejt normalizimit të marrëdhënieve Serbi-Kosovë përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, është shumë i rëndësishëm për stabilitetin rajonal dhe për stabilitetin evropian, në një kohë kur po përballemi me agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe me krizat e goditjeve që pushtimi brutal dhe i pajustifikuar i Putinit ka shkaktuar në të gjithë Evropën. Detajet e propozimit po diskutohen në kuadër të dialogut të drejtuar nga BE-ja. Ne e mbështesim fuqishëm: Mendoj se pas diskutimeve mes dy qeverive, të fillojë një përfshirje më e madhe edhe e publikut”, tha Escobar.
Emisari amerikan ndër të tjera ka thënë se ka një partneritet të plotë me homologët e tij nga Bashkimi Europian për këtë proces.
“Unë kam një partneritet të plotë me homologët e mi të BE-së. Ne jemi plotësisht të angazhuar përmes vendeve të Quint-it. Për shkak se integrimi evropian është aspirata e të dyja vendeve ky proces natyrisht duhet të drejtohet nga BE-ja. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara ngushtë me BE-në, me të dyja palët dhe partnerët evropianë, në mbështetje të plotë të këtij procesi”, ka thënë Escobar në një intervistë për RTK.
Tutje, Escobar ka thënë se SHBA-ja ka qenë e angazhuar vazhdimisht për të mbështetur në mënyrë aktive përpjekjet e BE-së për ta menaxhuar situatën aktuale.
“Ky angazhim është politikisht, financiarisht, përmes ngritjes së kapaciteteve dhe çdo mekanizmi tjetër që kemi për të siguruar rezultatin përfundimtar, që krijon stabilitet afatgjatë për rajonin. Shtetet e Bashkuara kanë qenë të angazhuara në mënyrë aktive në mbështetjen e përpjekjeve të BE-së për të menaxhuar situatën aktuale” u shpreh Escobar.

Back to top button