Dhjetëra banorë në Vlorë e Fier kalojnë natën në tarraca: Shteti s’na lajmëroi

Dhjetëra banorë në Vlorë dhe Fier që jetojnë buzë Vjosës po kalojnë orë dramatike. Shtëpitë e tyre janë përmbytur, ndërsa uji shkon deri në katet e dyta. Banorët thanë se kanë kaluar natën për tarraca, ndërsa akuzuan shtetin për neglizhencë
“Kam që në mëngjes që dridhem, po dridhem si qeni. Natën e kalova në çati.”
Banorët pranë urës së Mifolit në Vlorë ishin dëshmitarë se si shtëpitë e tyre u mbuluan me ujë!
“Ka ardhur një sasi e madhe uji, që ishte e paparashikuar. Shiko si jam bërë”
Dalja e Vjosës nga shtrati, krijoi një situatë alarmante, ndërsa në disa banesa, uji ka mbuluar gjithçka, deri në çati.
Edhe banorë të tjerë e kaluan natën në shi.
“Po të më lajmëronin unë nuk jam as gomar as idiot, që të rri në ujë”.
Ata u larguan vetëm paraditen e së dielës, ndërsa me lot në sy pohuan se dëmet janë të mëdha!
“Kisha 10 kuintal misër brenda. Drutë ikën, pulat mu mbytën.”
Të paktën 17 shtëpi u përmbytën në Vlorë dhe dhjetëra familje u evakuuan.
Në Fier, banorët hodhën akuza ndaj autoriteteve dhe thanë se jo vetëm nuk janë lajmëruar për rrezikun e përmbytjeve, por shteti ka gënjyer kur ka thënë se kanë marrë masa për përmbytjet.
“Shumë rrezik, se përmbytja po vjen nga të gjitha anët. U gënjyem nga qeveria se na thanë janë marrë të gjitha masat, është blinduar Vjosa. Ky është një mashtrim i madh. Nuk na lajmëroi njeri të merrnim masa. Do mbytemi përfundimisht, kemi përvojë në përmbytje.”
Banorët atje thanë se e kishin të pamundur që të largoheshin nga shtëpitë, edhe pse uji kishte kapluar gjithçka.
Varkat e ushtrisë larguan dhjetëra banorë që jetojnë buzë Vjosës në Fier.
“Unë vdes këtu vetëm.”

Back to top button