Dhjetëra protestues në Iran presin ekzekutimin

Sipas një raporti të publikuar të shtunën, të paktën 24 protestues po përballen me ekzekutim në Iran për shkak të pjesëmarrjes në protestat kritike ndaj regjimit iranian.
Etemad, një gazetë e përditshme iraniane, publikoi një listë të përpiluar nga autoritetet gjyqësore që akuzojnë 25 protestues për “luftë kundër Zotit”, një akuzë e cila dënohet me vdekje në Iran.
Muzikanti i repit, Mohsen Shekari, i cili ishte ndër personat e listuar, u ekzekutua të enjten. Ai ishte akuzuar nga autoritetet iraniane se kishte sulmuar një roje sigurie me armë, duke nxitur terror dhe bllokuar një rrugë. Autoritetet gjyqësore njoftuan se do të ndodhin ekzekutime të tjera.
Në atë raport, Etemad i bëri thirrje gjyqësorit që t’i rishikojë vendimet për dënim me vdekje dhe të shmangë ekzekutimet e mëtejshme. Ekzekutimi i Shekarit u kritikua fuqishëm brenda dhe jashtë vendit.
Megjithatë, udhëheqësit politikë iranianë, përfshirë presidentin Ebrahim Raisi, e përshkruan ekzekutimin si një përgjigje legjitime ndaj trazirave mbarëkombëtare.
Protestuesit kërcënuan me hakmarrje, me mesazhin “Pritni hakmarrjen tonë”, të shpërndarë në rrjetet sociale. Ndërkohë, iranianët jashtë vendit planifikojnë të mbajnë një sërë protestash gjatë fundjavës.
Protestat mbarëkombëtare u shkaktuan ngavdekja e një gruaje kurde iraniane, Mahsa Amini, më 16 shtator. Ajo vdiq sa ishte në mbajtje policore pasi u arrestua për dyshime se kishte shkelur kodet islame të veshjes.
Krahas sanksioneve ndërkombëtare në lidhje me mosmarrëveshjen bërthamore, Teherani është përballur edhe me sanksione për shkelje të të drejtave të njeriut.
Irani është tronditur nga një krizë e rëndë ekonomike që më shumë se katër vjet, me shpresën e vetme për përmirësim te heqja e sanksioneve nëse arrihet një marrëveshje me shtetet perëndimore lidhur me armët bërthamore.
Megjithatë, që kur shtypja e dhunshme ndaj protestuesve filloi në shtator, shpresat për një marrëveshje po pakësohen, veçanërisht pas ekzekutimit të një protestuesi. Udhëheqja iraniane fajësoi “armiqtë” dhe “mercenarët” e Iranit në vend për nxitjen e protestave.
Autoritetet pretendojnë se shumica e iranianëve vazhdojnë ta mbështesin sistemin islamik dhe se përfundimisht do t’i mposhtin “armiqtë” dhe do t’u japin fund protestave. Por, protestat kanë vazhduar, me parulla si “vdekje diktatorit” dhe “Republikën Islamike që nuk e duam (më)”, në baza ditore gjatë muajve të fundit.

Back to top button