Dhoma e hotelit ku qëndronte Messi në Katar do të bëhet muze

Universiteti i Katarit ka njoftuar se dhoma e hotelit të kapitenit të Argjentinës dhe fituesit të Kupës së Botës, Lionel Messi do të shndërrohet në një muze të vogël.
Dhoma, e cila thuhet se u nda me mikun dhe kolegun e përjetshëm të Messit, Sergio Agueron në edicionin triumfues të Argjentinës në Kupën e Botës, nuk do të presë më mysafirë, dhe këtë gjë e ka konfirmuar agjencia e lajmeve e Katarit, QNA.
Në vend të kësaj, kanë filluar planet për ta bërë zonën një muze të vogël, me sendet e yllit të Paris Saint-Germain të ruajtura për studentët dhe vizitorët e tjerë.
“Dhoma e lojtarit të Kombëtares së Argjentinës, Lionel Messi do të mbetet e pandryshuar dhe do të mbetet e gatshme vetëm për vizitorët dhe jo për banim”, ka thënë Hitmi al Hitmi, drejtor i komunikimit dhe marrëdhënieve me publikun në Universitetin e Katarit, për gazetën e Katarit “Al Sharq”.
“Objektet e Messit do të jenë një trashëgimi për studentët dhe brezat e ardhshëm dhe një dëshmitar i sukseseve të mëdha që Messi ka arritur gjatë Kupës së Botës”, shtoi më tej Hitmi al Hitmi.
Fitorja e paharrueshme e Argjentinës ndaj Francës në finalen e Botërorit “Katar 2022” kurorëzoi argjentinasit me Kupën e tretë të Botës dhe Messin me të parën në karrierën e tij.

Back to top button