Kurti: Afati i KFOR-it për largimin e barrikadave po kalon me shpejtësi
(Lajm i përditësuar)
Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë tha se po “kalon me shpejtësi” afati që autoritetet shtetërore i kanë dhënë KFOR-it për largimin e barrikadave në veri.
Ai vendosjes e barrikadave e cilësoi si veprim i “paligjshëm dhe i patolerueshëm”.
“Vendosja e barrikadave në rrugë, është veprim i paligjshëm dhe nuk do të tolerohet. Në përputhje me vlerësimin e sigurisë, ne i kemi dhënë kohën dhe hapësirën KFOR-it për të vepruar, por sigurisht se kjo kohë po kalon me shpejtësi”.
“Nuk mund të qëndrojnë edhe parimi i lëvizjes së lirë, edhe barrikadat në rrugë”, tha ai
Kurti: Shteti nuk bisedon me kriminelë, por do t’i arrestojë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se shteti që ai udhëheq nuk do të bisedojë e bashkëpunojë me siç i ka quajtur ai, kriminelët që kanë vendosur barrikadat në veri, por do t’i arrestojë ata.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka thënë se këta kriminelë, që janë sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe, po mbështeten nga presidenti serb Aleksandar Vuçiq.
“Sa i përket situatës në komunat në veri të Kosovës, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës u janë kundërvënë kriminelët duke e sfiduar organet e zbatimit të ligjit dhe duke cenuar sigurinë. Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar nga SHBA-ja dhe Britania po mbështeten nga presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim të destabilizimit të rajonit përveç se cenimin e integritetit territorial të Kosovës. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë, por do t’i arrestojnë ata”, ka thënë Kurti.
10:53 – Kurti: 2022 vit i arritjes, zhvillimit dhe përmirësimit, por edhe sfidave
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vitin 2022 e ka cilësuar vit të arritjes, zhvillimit dhe përmirësimit, por edhe të sfidave.
Në mbledhjen e qeverisë të mërkurën, ai ka lavdëruar punën e Qeverisë së tij, duke thënë se Raporti i Vendit, nga Bashkimi Evropian, ka qenë ndër më të mirët për Kosovën.
Si sfidë, Kurti ka përmendur pandeminë, por që ka thënë se qytetarët me vaksinim masiv bënë që të menaxhohej mirë. Kurti ka thënë po ashtu se Kosova është përballur edhe me krizë energjetike e inflacionin.
Ka përmendur ndarjen e mbi 100 milionë eurove nga “pakoja e ringjalljes” e mbi 150 milionë të tjerë nga “pakoja e përballjes së inflacionit”.
Kurti gjatë mbledhjes ka “lavdëruar” edhe rritjen e të hyrave nga Dogana e Administrata Tatimore e Kosovës.
08:22 – Kurti mbledh ministrat
Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës.
Kjo mbledhje pritet të mbahet në ora 10:00.
Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, ku nuk është treguar se cilat do të jenë pikat e diskutimit./21Media