Dhunimi i 11 vjeçares, Krasniqi: Dënim maksimal për të përfshirët në krim

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi për rastin e dhunimit të një të miture në Prishtinë ka thënë se “shteti me të gjitha kapacitetet, duhet të gjejë të gjithë të përfshirët në këtë krim”.
“Sot, fjalët kanë humbur fuqinë për të dënuar mjaftueshëm rastin e dhunimit të një vajze 11 vjeçare në Prishtinë. Sot, ëndrrat e një fëmije dhe jeta e një familjeje janë shkatërruar. Sot, shoqëria jonë, fatkeqësisht, jo për të parën herë viteve të fundit, ka shpërfaqur vrazhdësinë e saj me dhunën dhe krimin ndaj vajzave dhe grave. Shteti, me të gjitha kapacitetet e veta, urgjentisht duhet të gjejë të gjithë të përfshirët në këtë krim dhe ndaj tyre, pa hezitim, të shqiptoj asgjë më pak se dënime maksimale. Këtë ia kemi borxh vajzës së dhunuar, familjes së saj dhe të gjitha vajzave të reja të cilat sot ndihen të pasigurta në shtetin e tyre!”, shkroi Krasniqi.

Një vajzë ka raportuar në Policinë e Kosovës se para dy ditëve është dhunuar nga pesë persona të panjohur në Prishtinë. Lidhur me rastin, janë arrestuar katër të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares, dy prej tyre i është caktuar një muaj paraburgim./21Media

Back to top button