Rama për dhunimin e 11 vjeçares: U turpëruam të gjithë ne si shoqëri

I pari i Prishtinës, Përparim Rama ka thënë se është i tronditur nga rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë.
Rama ftoi organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.
“Rasti i dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, na ka tronditur të gjithëve.  Jam thellësisht i prekur nga kjo ngjarje dhe ftoj organet e rendit që të jenë sa më prezent në hapësirat publike dhe më vigjilent ndaj rasteve të tilla.  Ne duhet të bëjmë shumë më tepër për t’i dhënë fund këtyre abuzimeve të tmerrshme dhe mosndëshkimit që lejon që këto akte makabre të vazhdojnë të ndodhin. Është koha që ne të gjithë: gra, burra, vajza, djem, dhe sidomos ne si përfaqësues kryesorë të institucioneve publike, të bashkëpunojmë që raste të tilla të mos ndodhin më. Nuk u abuzua vetëm një fëmijë, u turpëruam të gjithë ne si shoqëri!”, shkroi Rama.

Një vajzë ka raportuar në Policinë e Kosovës se para dy ditëve është dhunuar nga pesë persona të panjohur në Prishtinë. Lidhur me rastin, janë arrestuar katër të dyshuar për dhunimin e 11 vjeçares, dy prej tyre i është caktuar një muaj paraburgim./21Media

Back to top button