Dhunimi i 11 vjeçares, Osmani: Kërkoj hetim rigoroz për këtë akt çnjerëzor

Një vajzë ka raportuar në Policinë e Kosovës se para dy ditëve është dhunuar nga pesë persona të panjohur në Prishtinë.
Lidhur me rastin, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për dy të dyshuarit E.R dhe të miturit G.R për shkak të dyshimit të bazuar se kanë dhunuar një vajzë të mitur në Prishtinë.
“Gjyqtarët e procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit E.R dhe të miturit G.R e kanë aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu kanë caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji për secilin veç e veç”, thuhet në njoftimin e Gjykatës.
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është shprehur e tronditur nga rasti. Ajo e quajti akt çnjerëzor dhunimin seksual të të miturës 11 vjeçe.
Njëkohësisht, Osmani kërkoi hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës.
“Tronditës akti çnjerëzor i dhunimit seksual të të miturës 11 vjeçe. Kërkoj një hetim rigoroz dhe përgjegjësi para ligjit për kryesit e veprës. Me ashpërsinë dhe vendosmërinë më të madhe duhet ta përsërisim njëzëri se askush s’është mbi ligjin. Ligji duhet të jetë i ashpër me secilin keqbërës të tillë, e posaçërisht në rastet sikur ky kur cak i dhunimit janë fëmijët.Dhunimi seksual sikurse edhe të gjitha format e dhunës ndaj vajzave e grave përbëjnë kërcënim për të gjithë dhe shpërfaqin një plagë serioze në shoqërinë tonë. Prandaj kryerësit e këtyre veprave duhet të marrin përgjigjen e duhur dhe të menjëhershme nga organet e drejtësisë. Ne nuk duhet të lejojmë që vendi ynë të jetë i pasigurt për vajza e gra”, shkroi Osmani.
Osmani ka “kërkuar nga organet e drejtësisë që ta eliminojnë në tërësi seksizmin dhe pabarazinë në vendimet gjyqësore si dhe nga institucionet e sigurisë që të rrisin nivelin e mbrojtjes për vajzat e gratë që janë viktima të dhunës.
“Është koha poashtu, që të procedojmë me ndryshime legjislative që ashpërsojnë edhe më tej dënimet ndaj dhunuesve. Është përgjegjësi e jona kolektive të kujdesemi që të gjithë fëmijëve t’u garantojmë fëmijëri të dinjitetshme dhe të eliminojmë dhunën mbi baza gjinore”, përfundoi Osmani./21Media

Back to top button