Dialog për njohje de-facto apo për normalizim!

Një marrëveshje e nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në fushën e energjisë është parë si n jë hap drejt procesit të normalizimit në procesin e dialogut. Marrëveshja u nënshkrua pas më shumë se një viti kur u arrit pajtueshmëria mes dy palëve.
Zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, tha se me nënshkrimin marrëveshjes është bërë një hap drejtë normalizimit të furnizimit me energji dhe faturimit në katër komunat veriore. Por, ai kërkoi nga BE-ja që të bëjë presion mbi Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve.
“Tash duhet të ecet tutje edhe me hapat e tjerë të nevojshëm për t’i dhënë fund pas më shumë se 20 vitesh, ilegalitetit në mospagesë të rrymës. Kosova vazhdimisht ka luajtur një rol konstruktiv dhe ka zbatuar të gjitha detyrimet e saj, andaj dhe presim e kërkojmë të njëjtën gjë nga pala tjetër, për ta përfunduar këtë proces”, tha Bislimi.
Marrëveshja u mirëprit edhe nga ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, vendi i të cilit është njëri nga hartuesit e planit për normalizim së bashku me Francën, që u prezantua si plan evropian.
“Vërtet lajm i mirë, tani kemi nevojë për zbatim të qëndrueshëm pa vonesa të mëtejshme!”, tha Rohde
Bashkimi Evropian ka dhënë sinjale për një takim të radhës midis kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve. Këtë e ka bërë të ditur i dërguari i posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.
“Ditët e fundit kam qenë i zënë në Bruksel, ku së bashku me ekipin tim po përgatiteshim për diskutimet e ndara të ardhshme me kryenegociatorët e të dyja palëve. Kam pasur gjithashtu një sërë diskutimesh dhe angazhimesh të hollësishme’’, tha Lajçak.
Bashkimi Evropian synon që përmes dialogut, Kosova dhe Serbia të kenë normalizim të marrëdhënieve duke mos specifikuar nëse do të ketë njohje të ndërsjellë. Por, përfaqësuesit e pushtetit thonë se në Bruksel po synohet marrëveshje me Serbinë që në qendër ka njohjen.
‘’Qëllimi i jonë nuk është për të dështuar dialogu, po që të kemi një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke në qendër. Përderisa faktori ndërkombëtar ka qasje ledhatuese ndaj Serbisë, atëherë duhet të ketë ndryshim të qasjes së ndërmjetësuesve’’, tha Batusha.
Analistët politik vlerësojnë ndryshe. Sipas, Albinot Malokut, vlerëson se sipas propozimit franko-gjerman nuk parashihet njohja as de-facto e as de-jure, por përmbajtja e planit është noramalimi i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë.
‘’Në kuadër të planit franko-gjerman Qeveria e ka prezantuar si njohje de-facto, por konsideroj se në kuadër të dokumenteve nuk ka fenomen të njohjes de-facto por të pranimit të ekzistencës së diçkaje. Në kuadër të këtij plani nuk përmendet njohja e ndërsjellë”, tha Maloku për RTV21.
Artan Muhaxhiri, mendon se vetëm presioni i faktorit ndërkombëtar mund t’i detyrojë palët për zbatimin e marrëveshjes. Ai tha se njohja reciproke mund të vije pas normalizimit të raporteve.
‘’Njohja është domosdoshmëri, por vjen në fund të normalizimit. Nuk ka mundësi teoroke që të arrihet marrëveshje finale pa një lloj njohje, por e gjithë mjeshtëria është në definimin e formatit të njohjes”, tha Muhaxhiri për RTV21.
Kosova dhe Serbia janë dakorduar që në kuadër të marrëveshjes së Brukselit dhe të Ohrit të zbatojnë 11 pikat për normalizim të raporteve./21Media