Dialogu i ”kushtëzuar” në Bruksel

Kryenegociatotët Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq provuan të gjejnë një gjidhje për zbatim të marrëveshjes bazë për normalizimin e marrëdhënieve. Takimi erdhi pas dështimit të takimit trepalësh midis kryeministrit Kurti dhe presidentit Serb Vuçiq. Në Kosovë ndërkohë, përfaqësues të partisë në pushtet thonë se kushtëzimet e dialogut bëhen me qëllim të vënies së një barazpeshe ndërmjet palëve. Deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, fillimisht kërkon zbatimin e tri kushteve të Qeverisë nga Serbia për vazhdimin e takimeve të nivelit të lartë.

‘’Negociatat nuk mund të nisin duke pas parasysh se Kosova ka pësuar një sulm terrorist në veri të vendit. Kurti ka vepruar drejtë sepse kur dy palët negociojnë është goditje nënë brez kur pala tjetër të sulmon. Tri kushtet politike nënkuptojnë se Kurti refuzon takimin me Vuçiqin derisa të ketë reflektim. Mund të takohet Besnik Bislimi i cili është përgjegjës për aspektet teknike”, tha Rexhaj për RTV21.

Por, për partitë opozitare nuk është qartë shkuarja kryenegociatorit Bislimi në Bruksel pas kushteve të kryeministrit Kurti dhe refuzimit të tij që të takohet me Vuciqin. Deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ka kritikuar qasjen e kryeministrit Kurti në dialog duke e akuzuar se, sic tha, po dëshron që të blejë kohë.

‘’Derisa Albin Kurti ka këkrua që pa u plotësuar kushtet nuk duhet të ketë taakim. Ne nuk po e shohin të arsyeshme takimin e Bislimit me Petkoviqin. Kjo po i bie që kjo Qeveri po bënë vetëm propagandë. Kurti po dëshiron ta humbë vëmendjen duke bërë veprime të tilla. Ne nuk kemi kohë për të humbur. Duhet të ndërmerren hapa konkret, por Kurti nuk e ka një gjë të tillë”, tha Bytyqi.

Kritikave të deputetes opozitare iu përgjigj deputeti i partisë në pushtet, Arber Rexhaj.

“Kohëve të fundit kam dëgjuar zëra se nuk po takohet kryeministri Kurti por po takohet Besnik Bislimi. Kjo ka dallim shumë të madh sepse kur takohet kryeministri është nivel i lartë politik se vendimet e tij kanë peshë më të madhe. Besnik Bislimi është për cështje teknike i cili po ashtu konsultohet me kryeministrin”, tha Rexhaj.

Ndërkohë, emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, përpara takimit Bislimi- Petkoviq shkroi se priste zhbllokim të procesit të zbatimit të marrëveshjes pas dështimit të takimit Kurti-Vuçiq, të cilin e cilësoi shumë sfidues.

“Vuçiqi e Kurti paraqitën pozicionet e tyre për procesin.. Diskutimet ishin siç priten të vështira, dhe në fund, Kosova nuk ishte e gatshme dhe s’donte takim trilateral. Vuçiqi ishte i gatshëm”, tha Lajçak.

Në Boegrad ndërkaq, ambasadori i SHBA-së, Christopher Hill, tha se i mbështet përpjekjet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë dhe ua bëri me dije Kosovës dhe Serbisë se nëse nuk ka normalizim të marrëdhënieve nuk mund të ketë përafrim me BE-në.

“Nëse nuk ka normalizim, kjo do të thotë jostabilitet, do të thotë probleme. Dhe ndërsa evropianët duan ta shohin Serbinë mes tyre, brenda strukturave të tyre, ata duan që Serbia të zgjidhë ose të paktën të adresojë problemet e saj përpara se të hyjë në BE”, tha Hill.

Analistja politike, Arta Tahiri, mendon se kushtet e kryeministrit Kurti janë të duhura ndaj Serbisë. Sipas saj, nëse nuk merren parasysh kushtet nuk mund të ketë kredibilitet në zbatimin e marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve.

‘’Mendoj se është një kërkesë shumë e mirë e menduar nga pala kosovare. Nëse nuk do të kemi reagime nga pala serbe për të plotësuar këto kushte nuk do të ketë më kredibilitet për vazhdimin e bisedimeve për të marrë vendime konkrete sa i përket marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë. Në këto momente nuk mund të pritet zbatim të marrëveshjes”, tha Tahiri për RTV21.

Takimet në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë po mbahen në një kohë kur Bashkimi Evropian është në proces të zgjedhjes së strukturave të reja të saj./RTV21/21Media

Back to top button