Kaloni te përmbajtja kryesore

Diaspora me rekord të aplikimeve për votimet e qershorit

Shtetasit  Kosovës që jetojnë në vende të ndryshme të botës pritet të jenë të parët që do të përcaktojnë vullnetin e tyre për votimet e 7 qershorit. Për këto votime, nga 6 maji deri më 17 maj KQZ njoftoi se ka pranuar 142803 kërkesa për regjistrim, prej të cilave rreth 110 mijë janë provuar, mbi 7325 janë refuzuar ndërsa mbi 25 mijë të tjera janë në pritje për shqyrtim. KQZ tha se shtetasit e Kosovës që janë regjistruar për të votuar më së shumti kanë përzgjedhur mënyrën e votimit përmes postës.

Nga 109696 aplikime të aprovuara, 81901 shtetas janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare jashtë Kosovës, 2855 të tjerë për të dërguar pakon me fletëvotim në kutinë postare të KQZ-së në Kosovë dhe 24,940 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike.

Mbi 140 mijë këkresa shënojnë interesimin më të lartë ndonjëherë të diasporës për të marrë pjesë në votimet në Kosovë. Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 28 dhjetorit KQZ kishte pranuar pak mbi 77 mijë kërkesa ndërsa në votimet e 9 shkurtit KQZ kishte pranuar 104 mijë kërkesa. Ish-kryetari i gjykatës së apelit, Hasan Shala votën e diasporës nuk e sheh vendimtare, siç u pretendua për zgjedhjet e 28 dhjetorit.

“Jo nuk mund të themi se është vendimtare sepse vendimtare është kur këtu votat janë të barabarta e pastaj vjen vota diasporës dhe rrëzon rezultatin…”,tha Shala për rtv21.

Diaspora e Kosovës do të ketë mundësi që të nisë procesin e votimit që nga 25 maji deri më 6 qershor. Ata gjithashtu më 6 qershor do të kenë mundësi që të votojnë edhe nëpër përfaqësitë diplomatike të parapara nga KQZ. Megjithatë, njohës të procesit zgjedhor votimet në diaspore në vazhdimësi i kanë parë më një sy kritik nga njohës të proceseve zgjedhore për shkak të mundësisë së lehtë për siç u tha komprometim të votës si pasojë e mbikëqyrjes së ulët.

“Ajo mbetet në kompetencë të KQZ-së sa munden me e rujë atë votë ne kemi parë se si po bëhet transporti i asaj vote…”, shtoi Shala

Ndërkohë të gjitha subjektet politike kanë bërë thirrjet e tyre dhe nisur fushatën e tyre për të marrë votën e diasporës. Megjithatë aktivistë politik nëpër diasporë kanë ngritur alarmin se subjektet politike përveç fushatës intensive nëpër diasporë, ato tashmë janë mobilizuar që t’i sjellin shtetasit e Kosovës që jetojnë dhe veprojnë nëpër shtete të ndryshme të botës edhe fizikisht në Kosovë. Gjë e cila po cilësohet si blerje e votës./RTV21/21Media

 

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button