Digjet edhe një veturë me tabela RKS në Zubin Potok

Po vazhdon djegia e veturave dhe pronave të qytetarëve të komunitetit serb të cilët po i konvertojnë targat nga ato ilegale në legale të Republikës së Kosovës.
Rasti i fundit ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Zubin Potok. Policia njoftoi përmes një komunikate se rreth orës 03: 34 ka pranuar informacion, vënien e zjarrit ndaj një veture të tipit Hyndai me targa RKS, të një qytetari të komunitetit serb, nga komuna e Zubin Potokut.
“Njësitet relevante policore nga stacioni policor Zubin Potok, i janë përgjigjur menjëherë vendit të ngjarjes, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore si dhe kanë njoftuar ekipin e zjarrfikësve, të cilët kanë dalë po ashtu në vendin e ngjarjes. “, thuhet në komunikatën e policisë.
Nuk është hera e parë që po ndodh një gjë e tillë, kjo ka bërë që të reagojnë edhe krerët e shtetit deri të presidentja Vjosa Osmani, duke i quajtur këto akte kriminale të bandave si dhe ka kërkuar mbështetjen e BE-së dhe SHBA-së në luftimin e tyre.
“Gjithë këto veprime të strukturave ilegale dhe kriminale të cilat janë në listën e zezë të SHBA-së dëshmojë që kjo në esencë e sundimit të ligjit. Kosova tashmë është rikonfirmuar si shteti më reformat më të mëdha në gjithë Evropën në fushën e sundimit të ligjit dhe rerformuesi i dytë në botë dëshmon se vendimet tona janë të drejta.”, ka deklaruar ditë më parë Osmani.
Ndërkohë edhe policia po zotohet se do të mbetet mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore, në hetimin dhe ndriçimin sa më parë të këtij rasti dhe të rasteve të tjera të zjarrvënieve, të ndodhura dhe të orientuara ndaj pronave private, kryesisht ndaj veturave të regjistruara me targa lokale RKS.
“Ftojmë të gjithë qytetarët pa dallime që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës, e cila do të kujdeset në vazhdimësi në ofrimin e sigurisë ndaj të gjithë qytetarëve pa dallime, në ruajtjen e rendit dhe qetësisë publike, zbulimin e akteve të tilla kriminale dhe sjelljen para organeve të drejtësisë së kryerësve të këtyre veprave kriminale. “, thuhet në njoftimin e policisë./21Media

Back to top button