Digjet një banesë në Gjakovë, vdiq një 11-vjeçare

Një vajzë 11-vjeçare ka humbur jetën, pasi një banesë është përfshirë nga flakët, sot në orët e para të ditës.
Lajmi për portalin rtv21.tv e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezi.
“Me datë 20.06.2022 rreth orës 01:37, Stacioni Policor-Gjakovë ka pranuar informatë për një zjarr që kishte përfshire një banesë në rrugën “Yll Morina” në Gjakovë. Patrulla policore ka konfirmuar zjarrin ku ishte duke u djegur një banesë në një bllok banesor. Zjarrfikësit kanë dalë në vend e ngjarjes dhe është bërë evakuimi i banorëve. Në banesën në fjalë pas shuarjes së zjarrit është gjendur trupi i viktimës femër/kosovare lindur në vitin 2011 për të cilën ekipi mjekësore ka konstatuar vdekjen e saj”, ka thënë Elezi.
Njësitet relevante të policisë kanë dalë në vendin e ngjarjes si dhe është njoftuar Prokurori i Shtetit me rekomandimin e të cilët është iniciuar rast “Hetim i Vdekjes” dhe “Zjarrvenje”.
Trupi i pajetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion./21Media

Back to top button