Dikur pacientet paguanin 5 mijë euro, tani ky operacion realizohet në QKUK

Realizohet operacioni i vitrektomisë

Pas furnizimit me pajisje të reja, Klinika e Oftalmologjisë ka filluar të kryejë operacione, për të cilat më parë pacientët ishin referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Në këtë klinikë është realizuar operacioni i vitrektomisë ose operacion në segmentin e pasmë të syrit, për të cilin operacion pacientët ishin detyruar të paguanin deri në 5 mijë euro jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Pacienti F.K (1944) gëzon shëndet të mirë të syrit, pas operacionit që zgjati një orë e gjysmë, të realizuar nga stafi mjekësor i Klinikës së Syve në QKUK.

Në mungesë të aparaturës adekuate, deri më tani, për këtë patologji vetëm këtë vit, 200 pacientë ishin referuar për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore. Tash e tutje, ky lloj i operacionit do të ofrohet në Klinikën e Syve dhe pacientët nuk kanë nevojë të drejtohen jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Në Klinikën e Oftalmologjisë në Prishtinë më 9 korrik janë përuruar pajisjet e reja që ishin blerë në vlerë prej 350 mijë euro. Kjo klinikë për herë të parë është furnizuar me mikroskop operativ për operimin e segmentit të pasmë të syrit, Cross-Linking për trajtimin e patologjive të koernesë së syrit, Optical Coherence Tomography për diagnostikimin e sëmundjeve të retinës dhe disa pajisje të tjera./ 21Media 

Back to top button