Kaloni te përmbajtja kryesore

Diplomojnë inxhinieret e para në inxhinieri Industriale dhe Menaxhment

Uresa Mustafa diplomoi e para në programin Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment

Në ambientet e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” para dy javesh (me datën 06.09.2017) ka diplomuar studentja e parë në Kosovë në drejtimin e inxhinierisë Uresa Mustafa.

Uresa, e cila tri vite më parë filloi studimet themelore në UP, ja doli të përfundojë me sukses studimet e saj në programin më të ri në UP. Programi, që quhet Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment, u krijua për nevojat e tregut vendor, thuhet në një njoftim në faqe të universitetit të Prishtinës.

Për të si një e re me ambicie të mëdha, sfidat që sjellën studimet ishin një shtysë për të punuar më shumë. “Kur vendosa të studioj në këtë program, ishte për faktin që pas studimeve do të isha e gatshme për tregun e punës. Kosova deri më tani në këtë fushë ka mungesë të kuadrove. Për mua, ndërlidhja e dy llojeve të shkencave në një, më ka motivuar që të punoj edhe më shumë”, shprehet Uresa, citohet një shkrim në llogarinë zyrtare “Facebook” të Universitetit të Prishtinës.

Tema e diplomës, me të cilën finalizoi studimet Uresa, ishte “Çertifikimi me CE për konstruksionet e çelikut sipas BS EN 1090”. Punimi i saj shtjellon mënyrën se si metalpunuesit duhet të ndjekin procedurat për t’u pajisur me një çertifikatë të standardëve Evropiane.

Ndërsa një javë më pas ( më 11.09.2017), diplomoi edhe studentja e radhës Lendrita Jasiqi, në programin Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment.

Menaxhmenti i Fakultetit i ka uruar Lendritës marrjen e titullit Bsc i Inxhinierisë Mekanike – Inxhinieri Industriale dhe Menaxhment, në një njoftimi në faqen e Universitetit.

Ndryshe, Qëllimi i Departamentit Inxhinieria Industriale dhe Menaxhmenti siç është përshkruar në faqe të UP-së, është të ofrojë studimet të cilat promovojnë forcimin e relacioneve me industrinë dhe aftësojë studentët në lëmitë inxhinierike dhe ekonomiko-industriale dhe të promovojë bashkëpunimin në mes të fakultetit, profesionistëve dhe organizatave industriale me fokusim në metodat më të mira për përmirësimin e procesve, prodhimeve dhe sistemeve industriale si dhe me aplikimin e teknologjive më të reja. Ky drejtim koncentrohet në përgaditjen e studentëve për pozitat e lidershipit dhe menaxhmentin në hapësirat teknike siç janë ato në biznes dhe industri/inxhinieri. /21Media

 

Lexim me zë

Dëshiron ta dëgjosh këtë lajm me zë?

0:00

Show More
Back to top button