Disa komuna vuajnë mungesën e mësimdhënësve të fizikës dhe gjuhës gjermane

Në disa shkolla të komunave të Kosovës, mungesën e mësimdhënësve të gjuhës gjermane dhe fizikës po e pësojnë nxënësit. Drejtoritë Komunale të Arsimit janë të detyruara të kërkojnë alternativa të tjera, duke i punësuar studentët ose në raste të tjera mësimdhënësit e lëndës së gjuhës angleze të japin edhe gjermanishten. Ministria e Arsimit ka thënë se për mungesa të tilla duhen bërë përpjekje maksimale që zëvendësimi të jetë sa më i kualifikuar i mundshëm.
Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Dukagjin Pupovci ka thënë se duke iu referuar mungesës së profileve të caktuara aktualisht tha se duhet të punohet edhe për të ardhmen duke rritur numrin e të pranuarve në profilet e fakulteteve për të cilat ka më shumë nevojë.
”Mungesë të mësimdhënësve sa i përket numrave nuk do të duhej të kishte, mund të ketë mungesë të profileve të caktuara siç është për shembull profili i gjuhës gjermane, ku njerëzit tani kanë mundësi të tjera të punësimit. Mendoj që në ato raste duhet të bëhen përpjekjet më të mira që të gjendet një zëvendësim sa më i kualifikuar që është e mundshme dhe natyrisht ne duhet të kemi kujdes që me fakultetet përkatëse të shtojmë numrat me rastin e regjistrimit në mënyrë që të ketë më shumë në të ardhmen ofertë në atë fushë”, ka thënë Pupovci.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjakovë pranon se ka mungesa të kuadrit në lëndën e matematikes, gjuhës gjermane dhe fizikes. Drejtoresha Eranda Baçi ka thënë se edhe procedurat e konkursit zgjasin dhe nxënësit janë të detyruar të ndjekin orët pa mësimdhënësin adekuat.
E të njëjtin problem e ka edhe komuna e Pejës, ku gjuhën gjermane e cila është në plan programin shkollor për ciklin e mesëm të ulët, sipas drejtorit të Arsimit të kësaj komune, Naser Gega, e zhvillojnë mësimdhënësit e gjuhës angleze.
”Në disa shkolla këtë lëndë e zhvillojnë mësimdhënësit që janë të diplomuar të gjuhës angleze. Ata në kuadër të gjuhës angleze kanë edhe gjuhën gjermane, dhe po e zëvendësojnë. Ka ndonjë mungesë të theksuar por mungesë tejet e vogël është ajo e gjuhës gjermane në ndonjë shkollë në numër shumë simbolik”, ka thënë ajo.
Mungesën e mësimdhënësve për lëndën e fizikës, e ka shprehur edhe drejtoresha e Arsimit në komunën e Gjilanit, Selvete Sylejmani. Ata, sipas saj, po i zëvendësojnë studentët që studiojnë fizikë
Nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, thonë se duhet të evidentohen shkollat ku ka mungesë të mësimdhënësve të lëndëve të ndryshme e pastaj t’i dërgojnë inspektorët e arsimit në këto shkolla për të verifikuar gjendjen. /kp

Back to top button