Diskutohet për dëmet e shkaktuara nga breshëri në Rahovec
Rikalo viziton komunën e Rahovecit
Gjatë ditës së sotme, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Nenad Rikalo qëndroi për vizitë në qytetin e Rahovecit.
Fillimisht Rikalo mori pjesë në hapjen e simpoziumit shkencor “Vlera dhe ardhmëri e hardhisë dhe verës Vranç”, simpozium ky dyditor i cili po mbahet në po këtë qytet.
Pastaj ministri Rikalo u takua me kryetarin e Rahovecit, Smajl Latifit, me ç’rast biseduan për dëmet e shkaktuara ditëve të fundit nga breshëri dhe të reshurat e mëdha prej të cilave pësoi rëndë bujqësia në përgjithësi e posaçërisht sektori i vreshtarisë.
Rikalo tha se është formuar një komision në nivel komunal së bashku me ministrinë e Bujqësisë dhe do të bëhet vlerësimi i dëmeve të shkaktuara dhe pas kësaj do të merren vendime për mënyrën e kompensimit.
“MBPZHR-ja do të mundohet përmes formave të ndryshme të gjej modele të përshtatshme dhe pastaj do të vendoset se çfarë mundësi do të përzgjidhen”, tha Rikalo thuhet në njoftimin e dërguar nga ministria e Bujqësisë.
Nga ana tjetër, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi tha se kërkon nga ministri që të filloj me iniciativë për krijimin e një fondi emergjent për kompensimin e dëmeve të fermerëve të shumtë të cilët janë dëmtuar rëndë pas të reshurave të fundit.
“Shpresoj që pas vlerësimit të dëmeve nga komisionet e përbashkëta të Komunës së Rahovecit dhe Ministrisë së Bujqësisë, do të gjenden modalitete që këto shqetësime dhe dëme të fermerëve tanë, të realizohen konkretisht me kompensim nga ana e Qeverisë”, tha Latifi
Në këtë takim u diskutua edhe për çështjen e sigurimeve bujqësore si një mekanizëm mjaft i rëndësishëm për mbrojtjen e prodhuesve dhe prodhimeve kosovare. /21Media
https://rtv21.tv/e-pabesueshme-cfare-beri-bresheri-ne-rahovec/