Dita e 12-të e grevës në arsim, Jasharaj viziton grevistët

Jasharaj do t’i vizitojë grevistët  në komunën e Ferizajt

Sot në ditën e 12-të të grevës, kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, së bashku me Këshillin Qendror Grevist do t’i  vizitojë grevistët në komunën e Ferizajt, pikërisht në orën 9:15 në çerdhen “Ardhmëria Jonë” në orën 9:45 SH.F “Gjon Serreqi” dhe në orën 10:20 SH.M “Dr Shaban Hashani”.

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës- SBASHK-u përmes një kumtese të dërguar dje ka bërë të ditur se sipas informatave të marra nga Këshillet Greviste Komunale ka rezultuar se i tërë sistemi arsimor nga çerdhet deri te universitetet ishin në grevë.

“Këshilli Qendror Grevist, e as udhëheqësia e SBASHK-ut, edhe gjatë ditës së sotme nuk kanë pasur asnjë takim me asnjë institucion, e as udhëheqës të institucioneve në nivel lokal, e as në nivel qendror. Edhe njëherë, ju bëjmë apel institucioneve qendrore, në veçanti ministrit Bytyqi, që të jep kontributin e tij në Qeverinë e Kosovës,  për realizimin e kërkesave ose largimin e Ligjit të pagave, përndryshe grevës nuk i shihet fundi”, bëhej e ditur në kumtesën e dërguar dje.

Mësimdhënësit janë në grevë të përgjithshme që nga 14 janari. Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) ka refuzuar ofertën e kryeministrit, Ramush Haradinajt. SBASHK kishte njoftuar se do të tërhiqen nga greva vetëm nëse ngritet 30% koeficienti i mësimdhënësve për paga.

Back to top button