Dita e fundit si president, Meta: Zoti e bekoftë Shqipërinë

Vetëm pak orë para se t’ia dorëzojë detyrën Bajram Begajt si kreu i shtetit, Ilir Meta shprehet se ishte nder dhe privilegj t’i shërbente popullit në këto pesë vjet.
Në një postim në “Facebook”, Meta teksa ka ndarë një foto me dy vajzat dhe djalin e tij, ka uruar paqe e mbarësi për çdo familje shqiptare.
“Ishte një nder dhe privilegj i jashtëzakonshëm të shërbeja këto pesë vite si President i Republikës të Shqipërisë. Uroj për atdheun dhe kombin tonë më të mirën! Paqe dhe mbarësi për çdo familje shqiptare! Zoti e bekoftë Shqipërinë!”, ka shkruar ai.
Ditën e sotme, Ilir Meta përfundon mandatin e tij 5-vjeçar si president i Shqipërisë, detyrë të cilën do ta marrë në po të njëjtën ditë ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj.
Begaj do të betohet në një seancë të posaçme parlamentare që do të zhvillohet në orën 18:00 në Kuvend, ndërsa më pas do të zhvillohet në Presidencë edhe ceremonia e marrjes së detyrës së Presidentit./21Media

Back to top button