Dita e pestë e FemArt, diskutohen mënyrat “për të gjetur se kush jemi”

Sot është mbajtur dita e pestë e edicionit të 12-të Festivalit FemArt, pjesë e së cilës ishte punëtoria me temën “Histori gojore: Mënyrat për të gjetur se kush jemi”, ku pjesëmarrës të ndryshëm kanë diskutuar mbi rëndësinë e shprehjes së lirë të mendimit.

Njëra nga pjesëmarrëset, Margarita Stravoudaki, ka folur mbi rëndësinë e shprehjes së lirisë dhe komunikimit me të tjerët në shoqëri, pasi vetëm duke njohur njëri-tjetrin njerëzit mund të gjejnë më tepër mirëkuptim.

“Kam mësuar se çdo person ka historinë e tij dhe madje ne as nuk i mbajmë mend historitë tona dhe është shumë e rëndësishme që ta kemi një vend të sigurt, ku mund të ndajmë mendimet tona, historitë e paraardhësve tanë, rrënjët tona dhe t’i njohim njerëzit më mirë pasi kemi miq dhe nuk dimë për të kaluarën e tyre”, tha ajo.

Ndërsa, Arbnora Kolgjeraj ka thënë se gjatë bashkëbisedimeve të ndryshme në shoqëri duhet të dëgjohen rrëfimet e të gjithëve, në mënyrë që të ketë një komunikim sa më të mirëfilltë.

“Mënyra se si të tjerët i perceptojnë ndryshimet ose mendimet e të tjerëve është diçka që ndoshta më herët nuk e kam mëndu që një histori mundet me u interpretua në disa forma të ndryshme. Çdo person, çdo njeri ka një tregim brenda tij, një rrëfim brenda tij, i cili nuk shpaloset me të tjerët, ai mund të vdes, të shuhet. Për këtë arsye, është shumë e rëndësishme për ne, që me i dëgjua të tjerët dhe me i kuptuar se çka kanë për të thënë, sepse çdo njëri prej nesh ka diçka për të thënë”, ka thënë Kolgjeraj.

Profesoresha e dramës dhe historisë së teatrit në “Athens Conservatory”, Georgina Kakoudaki ka thënë se synimi i kësaj punëtorie është gjetja e realitetit që janë reale para tyre.

“Ky është një seminar që synon të gjejë realitetet dhe çfarëdo që ne mendojmë për racizmin, përjashtimin social, përkatësinë etnike, standardet sociale. Kështu kuptuam se kush po bën historinë e asaj që jemi, dhe në fakt janë të gjithë, nuk janë vetëm baballarët, nuk janë vetëm gjyshërit, janë edhe nënat, motrat, shoqëria që përbëhet nga të gjithë pasardhësit. Në këtë seminar, atyre u jepet një hapësirë e mirë për të folur lirshëm dhe në mënyrë të barabartë dhe për të parë realitetet e njerëzve nga vendet e tjera, sepse ka shumë njerëz nga vende të ndryshme, që ata e kuptojnë kolektivisht se historia e tyre ose trauma e tyre nuk është vetëm e tyre, por ajo shkon rreth gjithë Evropës”, ka thënë Kakoudaki./kp

Back to top button