Dita e shtatë e barrikadave në veri

Barrikadat e vendosura në veri të vendit tash e shtatë ditë vazhdojnë të qëndrojnë, ndërsa rrugët në drejtim të kufirit të Jarinjes dhe Bërnjakut janë të bllokuara. Serbët lokalë kanë ngritur edhe një tjetër barrikadë krejt afër fshatit Çabër në drejtim të Zubin Potokut, ku kanë vendosur dy kamionë.
Dyqanet pothuajse të gjitha janë të mbyllura përveç atyre të ushqimeve dhe barnatoreve, ndërkaq nëpër shkolla e fakultete mësimi nuk po mbahet.
Kjo situatë me dyqane dhe shkolla në veri do të zgjasë së paku deri më 18 dhjetor me urdhër të shtabit të krizës të formuar ditë më parë e që udhëhiqet nga kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq.
Qëllimi i serbëve është që para botës të paraqitet “jetë e paralizuar” dhe situatë sa më e zymtë në atë pjesë.
Ndryshe, situata e përgjithshme e sigurisë në veri të vendit është e brishtë. Qytetarët serbë nuk po lejohen të lëvizin lirshëm nga bandat kriminale që po qëndrojnë në barrikada.
Pjesëtarët e Policisë së Kosovës po vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët pa dallim.

Back to top button