Dita Ndërkombëtare e Epilepsisë, kërkohet të luftohet stigma

Në shënimin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Epilepsisë e cila u organizua nga Klinika e Neurologjisë dhe Shoqata Kundër Epilepsisë u kërkua që të luftohet sa më shumë stigma me të cilët ballafaqohen pacientët e prekur nga kjo sëmundje.
Ndërsa, u bë e ditur se në Kosovë 6 persona në 1 mijë banorë kanë incidencë për të qenë raste të reja me epilepsinë.
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi u shpreh se stigma se dikush e ka epilepsinë, e cila vazhdon të jetë prezente ende në shoqërinë tonë, duhet të luftohet që të mos jetë mes nesh.
Derisa ofroi mbështetjen e tij si ministër i Shëndetësisë, Latifi u shpreh se në shëndetësinë kosovare për trajtim të epilepsisë duhet të nisin edhe trajtimin në aspektin kirurgjik të rasteve të rënda të epilepsisë.
Ai siguroi që do të punojë që lista esenciale për këta pacientë të mos mungojë.
Thirrje që të mbështetën sa më shumë pacientët e prekur nga epilepsia bëri edhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (QKUK), Valbon Krasniqi.
Krasniqi ofroi mbështetje për profesionistët shëndetësor dhe të gjitha projektet që ndihmojnë në trajtimin e kësaj sëmundje.
Valbona Govori nga Shoqata Kundër Epilepsisë u shpreh se bazuar në të dhënat e OBSh-së në Kosovë 6 persona në 1 mijë banorë kanë incidencë për tu prekur nga epilepsia, ndërsa 67 persona në 100 mijë banorë është prevalenca.
Govori u shpreh se këta pacientë ballafaqohen me shumë telashe, prandaj kërkoi nga ministria e Shëndetësisë ta ketë prioritet trajtimin e këtyre pacientëve.
Ajo tha se përmes shënimit të kësaj dite synohet që të njoftohen qytetarët se kjo sëmundje është me diagnostikim të hershëm dhe përmes trajtimit korrekt mund të kontrollohet.
Neuropsikiatri, Afrim Blyta ka treguar disa nga projektet të cilat pritet të nisin gjatë këtij viti e të cilat do të ndikojnë në trajtim më të mirë për pacientët që vuajnë nga epilepsia.
Sipas tij shumë shpejt në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës do të nisin shërbimet e trombolizës.
”Një projekt jashtëzakonisht i madh dhe i rëndësishëm në zhvillimin e shërbimeve shëndetësore të neurologjisë është projekti trajtimi i sëmundjeve servo-vaskulare gjegjësisht ksilofonore dhe shumë shpejt në QKUK do të filloj e ashtu quajtura tromboliza dhe në momentit kur një gjë e tillë do të realizohet po besoj që shërbimet shëndetësore të neurologjisë në Kosovë do të jenë të barabarta me shërbimet e ngjashme në nivelin evropian… Një projekt të cilin e kemi planifikuar për ditët e ardhshme brenda vitit ajo është brenda një trajnim i madh kombëtar lidhur me epileptologjinë dhe ideja është me standardizuar interpretimin e elektroensofalografisë si një instrument shumë i rëndësishëm në trajtimin e epilepsisë në përditshmërinë tonë në shërbimet neurologjike dhe kjo besoj do të realizohet kah fundi i këtij viti”, tha ai.
Epilepsia është një sëmundje kronike që karakterizohet nga atake të përsëritura. Ataket shkaktohen nga ndryshime në funksionimin e trurit si pasojë e shkarkimeve elektrike jo normale ose të tepruara nga qelizat e trurit. Janë disa lloje atakesh epileptike, lloje të ndryshime sindromash epileptike dhe shkaqe të ndryshme të epilepsisë./kp

Back to top button